Mesfushori i Realit të Madridit, Xhud Bellingam, është shprehur i bindur se sezoni i Realit të Madridit nuk ka përfunduar ende. Në lojë është dhe një trofe mjaft prestigjioz, si Botërori i Klubeve, që vlen shumë jo vetëm se është i pari i këtij lloji që organizohet nga FIFA, por edhe për faktin se mund t’i sjellë shumë të ardhura arkave të klubit.
Edicioni i parë i Botërorit të Klubeve në formatin e ri do të startojë më 14 qershor në SHBA dhe do të vijojë për një muaj, për t’u mbyllur me finalen e 13 korrikut. Dhe Bellingam e do këtë trofe.
“Është mundësia për të fituar një lloj tjetër titulli, ky është realiteti, të përpiqesh të jesh i pari që e fiton atë. Është gjithashtu mundësia për të luajtur në Amerikë, ku nuk kam luajtur rregullisht dhe për t’u përballur me kundërshtarë kundër të cilëve normalisht nuk luan. Mendoj se ka shumë gjëra pozitive”, tha Bellingam në një intervistë të dhënë nga FIFA një muaj para fillimit të turneut.
Reali i Madridit është në Grupin H të Kupës së Botës për Klube së bashku me Salcburgun, Paçukën dhe Al Hilalin. Kujtojmë se me Salcburgun është përballur në Champions, ndërsa Paçukën e mundi vitin e kaluar në finalen e Kupës Ndërkontinentale.
“Një pjesë e rëndësishme e kësaj është të jesh i pari. Ne të gjithë duam të shohim se si është dhe sa e rëndësishme do të jetë në të ardhmen, sa ekipe do të japin gjithçka nga vetja në turne. Ne duam të shohim dinamikën e këtij evenimenti, por për ne, siç thashë, është shansi për të shtuar një titull tjetër”, tha britaniku. Bellingam theksoi gjithashtu atmosferën që do të ofrojë turneu, në të cilin do të marrin pjesë klube dhe tifozë nga e gjithë bota.
“Mendoj se të gjitha ndeshjet tona do të jenë të mira, sepse kemi tifozë në të gjithë botën. Ne ishim atje në përgatitjet e verës dhe çdo vit shohim gjithnjë e më shumë tifozë. Kjo na shtyn të bëjmë edhe më mirë. Për Realin çdo ndeshje vlen. Ne luajmë në çdo takim për të fituar. E përsëris se do të ishte shumë e këndshme nëse do të bëheshim ne fituesit e parë të këtij turneu të ri. E di se ka qenë një sezon i gjatë dhe i lodhshëm, por, kur në lojë është një titull, ne jemi aty”, tha ai.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL