Karlo Ançeloti, trajneri italian më i suksesshëm në historinë e futbollit, ka vendosur të nisë një sfidë të re në karrierën e tij: drejtimin e ekipit kombëtar brazilian në Kupën e Botës 2026.Federata Braziliane e Futbollit e bëri zyrtare të hënën pasdite. Karlo do t’i bashkohet “canarinha”-s në fund të sezonit në La Liga. Me këtë vendim, Ançeloti nuk kërkon vetëm t’i udhëheqë “canarinha”-t drejt lavdisë globale, por edhe t’i bashkohet një klubi të zgjedhur trajnerësh që kanë fituar si Ligën e Kampionëve, ashtu edhe Kupën e Botës. Në këtë klub të veçantë, ka vetëm dy trajnerë që ai i njeh në mënyrë të përkryer: Marçelo Lipi dhe Visente del Boske.
PIONIERËT E SUKSESIT TË DYFISHTË – Marçelo Lipi dhe Visente del Boske janë dy trajnerët e vetëm që kanë fituar si Ligën e Kampionëve, ashtu edhe Kupën e Botës. Marçelo Lipi fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 1996 me Juventusin dhe Kupën e Botës në vitin 2006 me Italinë. Suksesi i tij me “Azzurrët” u vu në pah nga një qasje e fortë taktike dhe mbrojtje e padepërtueshme, të cilat i lejuan atij të fitonte turneun në Gjermani. Ndërkohë, Visente del Boske fitoi Ligën e Kampionëve me Realin e Madridit në vitet 2000 dhe 2002 dhe Kupën e Botës me Spanjën në vitin 2010. Ai gjithashtu e udhëhoqi Spanjën drejt fitores në “Euro 2012”, duke u bërë trajneri i vetëm së bashku me Helmut Shën, që fitoi Kupa Bote dhe Kampionate Evropiane radhazi. Të dy trajnerët kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit, duke dëshmuar se është e mundur të arrish majat si në nivel klubesh, ashtu edhe në atë të kombëtareve.
SFIDA E ANÇELOTIT – Trajneri italian shpreson t’i bashkohet këtij binomi në aventurën e tij të re me Brazilin. Italiani ka shijuar një karrierë të suksesshme në futbollin evropian, duke drejtuar klube të njohura si Milani, Çelsi, Paris SG-ja, Bajerni i Mynihut dhe Reali i Madridit. Me Milanin, ai fitoi Ligën e Kampionëve në vitet 2003 dhe 2007, ndërsa me Realin arriti të fitojë të dhjetën (“La Décima”) në vitin 2014 dhe dy Champions të tjerë në vitet 2022 dhe 2024, duke forcuar pozicionin e tij si trajneri me më shumë tituj në këtë kompeticion. Emërimi i Karletos si trajner i Brazilit shënon një moment historik në futboll. Karlo do të marrë përsipër detyrën pas 25 majit, pas përfundimit të aventurës së tij me Realin e Madridit në La Liga. Ndeshja e tij e parë në krye të “canarinha” do të jetë më 6 qershor kundër Ekuadorit në kualifikueset e Amerikës së Jugut.
Objektivi kryesor i Ançelotit do të jetë përgatitja e ekipit për Kupën e Botës 2026, ku Brazili do të kërkojë yllin e gjashtë. Me lojtarë të talentuar si Rafinja, Vinicius, Endrik e të tjerë, sfida do të jetë integrimi i këtyre talenteve në një sistem loje koheziv dhe efektiv. Nëse ai e merr yllin e lakmuar, Ançeloti do t’i bashkohet dyshes Lipi – Del Boske, trajnerët e vetëm që kanë fituar si Ligën e Kampionëve, ashtu edhe Kupën e Botës.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL