ProCredit Superliga është bërë më interesante se kurrë, ku çdo ndeshje është shumë e rëndësishme.
Takimi i parë i kësaj xhiro është mes Rahoveci 029 dhe Pejës, që është shumë i rëndësishëm për të dy skuadrat. Vreshtarët pas fitores ndaj Prishtinës kërkojnë fitoren e dytë radhazi në garën për të qenë edhe vitin e ardhshëm pjesë e elitës. Rahovecasit kanë tetë fitore e 16 humbje, derisa pejanët kanë dhjetë fitore e 14 humbje.
Një nga ndeshjet më të rëndësishme është mes Borës dhe Vëllaznimit. Prishtinasit janë në formë në vitin 2026, duke u renditur e treta me 13 fitore e 11 humbje, derisa kuqezinjtë janë në vendin e shtatë me tetë fitore e 16 humbje.
Të dielën do të zhvillohet përballja mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Këto dy skuadra ishin ndeshur edhe në çerekfinale të Kupës, ku mitrovicasit eliminuan therandasit. Ylli është në vendin e katërt me 11 fitore e 13 humbje, kurse kampionët janë liderë me 21 fitore e tri humbje dhe kanë siguruar vendin e parë për garat e rregullta.
Java e 25-të do të mbyllet me derbin e rivalëve të vjetër Sigal Prishtinës dhe Bashkimi. Bardhekaltrit nuk janë në formën më të mirë, ku renditen në vendin e gjashtë me nëntë fitore e 15 humbje, kurse prizrenasit në vendin e dytë me 16 fitore e tetë humbje.
ProCredit Superliga-Java 25
E shtunë
17:00 Rahoveci 029-Peja
19:30 Bora-Vëllaznimi
E diel
17:00 Golden Eagle Ylli-Trepça
E hënë
19:30 Sigal Prishtina-Bashkimi