Ish futbollisti Kreshnik Çipi thotë se në ndeshjen me Spanjën, skuadra kombëtare shqiptare duhet të shpresojë te loja me kundërsulm.
Në një intervistë për “Sport Center” në ABC News, Çipi u shpreh se kuqezinjtë nuk mund t’i imponojnë spanjollët me lojë, teksa barazimi, do të ishte si një fitore për Shqipërinë.
Sipas Çipit, Qazim Laçi është i pazëvendësueshëm në mesfushë, teksa shtoi se trajneri Sylvinho mund të provojë sulmin me Rey Manajn dhe Armando Brojën, pasi pikën më të dobët të spanjollëve, sheh mbrojtjen.
“Laçi duhet të jetë përsëri dhe treshja klasike, Ramadani, Asllani dhe Bajrami. Manaj tregoi që është i vlefshëm. Mund të luhet me Manajn dhe mund ta provojë edhe Brojën. Të tentojë njëherë kështu. Ne nuk mund ta imponojmë Spanjën. Duhet të shpresojmë te kundërsulmi. Ky është mendimi im. Shpresoj të ndodhë kështu, sa më shumë ndeshje të tilla të luajmë, harmonizohet skuadra. Jam dakord, ndeshja ka momentet e saj. Nuk mund ta imponojmë Spanjën, janë ata që na imponojnë ne. Duhet të jemi shumë në kontakt me njëri-tjetrin, të shfrytëzojmë hapësirat. Duhet të bëjmë ndeshje dinjitoze. Barazimi për mua është fitore.”, theksoi ai./abcnews.al