Erik ten Hag pranon se Andre Onana duhet të “përmirësojë paraqitjet e tij” pas një fillimi të vështirë te Mançester Junajtid, por e mbështeti portierin kamerunas për të kapërcyer problemet e tij këtë fillim sezoni.
Onana është kritikuar për një seri paraqitjesh të lëkundshme. Edhe kur skuadra e Ten Hagut rrëmbeu një fitore dramatike ndaj Brentfordit të Strakoshës dy javë më parë, 27-vjeçari u kritikua përsëri pasi pësoi golin e parë të Matias Jensenit.
Kjo ka nxitur debatin për largimin e portierit David de Gea gjatë verës dhe transferimin e Onanës për 47.2 milionë paund nga Interi, i cili luajti për Ten Hagun tek Ajaksi. “Ai e di dhe ne e dimë, që do të bëjë shumë më mirë,” tha Ten Hag përpara ndeshjes me Shefilldin.
“Çdo lojtar që vjen në Premier Ligë i duhet një periudhë ambientimi, por ai duhet të rritet sigurisht. Portierët e mëdhenj të Junajtidit si Peter Shmajkëll dhe David de Gea e nisën jo shumë mirë. Andre e di që është mirë të dish pak nga historia. Por ne jetojmë tani, jetojmë në të ardhmen dhe ai duhet të ndërtojë të ardhmen e tij duke dhënë shfaqje më të mira. Unë jam i sigurt se ai do ta bëjë. Ai e tregoi këtë te Barcelona, Ajaksi, Interi, ishte në një gjysmëfinale dhe finale të Ligës së Kampionëve dhe jam i sigurt se do të japë një paraqitje të shkëlqyer”.
“Djajtë” do të jenë pa shërbimet e Kasemiros sot në mesfushë, pas dëmtimit të brazilianit me kombëtaren.
PANORAMASPORT.AL