Vinsent Kompani do të ketë ditën e sotme në orën 13:00, testin e vërtetë në krye të Bajern Mynih. Klubi gjerman do të “përplaset” me Totenhemin, ndeshje që do zhvillohet në Koren e Jugut.Pas dy takimesh në miqësore, bilanci i trajnerit belg në “timonin” e bavarezëve është një fitore dhe një barazim. Në prag të këtij ballafaqimi ka dalë në zonën e prononcimeve edhe Kompani, duke i dhënë përparësi ndërtimit të një prapavijë “të hekurt”, duke sjellë si shembull mbrojtjen e vitit 2013, me emra si Dante apo Boateng.
NDESHJA – “Ne duam të ndërtojmë një nivel të lartë fitnesi. Dua të shoh mentalitetin e duhur, gjithashtu nga lojtarët që nuk janë stërvitur për një kohë të gjatë. Shumica e futbollistëve do të përfshihen sot nuk kanë shumë minutazh në këmbë, për shkak të pushimeve, por ne do ta shpërndajmë intensitetin”, tha trajneri Kompani.
SEZONI I RI – “D i të them se do japim gjithçka për të bërë më mirë këtë vit, krahasuar me etapën 2023- 2024. Pres një reagim nga të gjithë, që tashmë mund të vërehet në stërvitje. Shpresoj ta shohim edhe në ndeshjen me Totenhemin dhe mbi të gjitha nga takimi i parë konkurruese në Kupë”.
MBROJTJA – “Për sa i përket strukturës në prapavijë, kam shumë ide në kokë. Nëse shikoni Bajernin kur ata ishin kampionë 11 vjet radhazi në Bundesligë, skuadra nuk kishte vetëm një mbrojtje të shkëlqyer, por gjithashtu shtynin shumë mirë në fazën sulmuese. Sigurisht ka pasur gjithmonë individë të fortë, si Dante dhe Zherong Boateng në fitoren e Ligës së Kampionëve, 2013”, përfundoi Vinsent Kompani. Me shumë gjasa do të zbresin në fushë për herë të parë nën urdhrat e belgut Xhamal Musiala, Manuel Nojer apo Tomas Myler. Vlen të përmendet se në këtë fazë përgatitore mungojnë pesë emra të rëndësishëm në ekip si Herri Kejn, Leroi Sane, Kinslej Koman, Alfonso Dejvis dhe Matajs de Ligt, për shkak të inkuadrimit në Kampionatin Europian dhe problemeve fizike. Në total të dyja klubet e mësipërme janë “përplasur” 6 duele zyrtare, e përkthyer me 4 fitore te gjermanëve, 1 barazime dhe 1 triumf për “Gjelat” londinez. Për Kompani nuk rezulton kundërshtari “i panjohur”, pasi e ka ndeshur në disa raste si lojtarë dhe trajneri, sepcifikisht te Mançester Siti dhe Bërnlej.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL