Aston Vila pret Liverpulin sonte në mbrëmje, në një ndeshje që afrohet në kohë për shkak se “Reds”-at do të luajnë finalen e Kupës Karabao në mars në “Uembli”. Takimi i sotëm i jep mundësinë skuadrës së Arne Slotit që të thellojë avantazhin e saj në krye të klasifikimit në +10, pavarësisht se do të ketë luajtur një ndeshje më shumë se Arsenali. Trajneri Slot konfirmoi se Xho Gomez dhe Kodi Gakpo do të mungojnë të dy në ndeshjen e sotme:
“Kodi është më pranë rikthimit, por Xho do të kërkojë pak kohë. Ai do të jetë jashtë për disa javë, sepse është një dëmtim muskulor”. I pyetur për eksperiencën e fitimit të titullit me Fejnordin dhe sa do ta ndihmojë ky aspekt këtë vit me Liverpulin, holandezi tha: “Të ndihmon nëse e ke përjetuar si eksperiencë më parë. Jo vetëm mua, por edhe lojtarët. Por është e vështirë të nisesh nga kjo, sepse janë lojtarë, ekipe dhe kampionate të ndryshme. Barcelona ishte pranë pësimit të golit të barazimit në ndeshjen me Vajekanon.
Është faza e fundit e sezonit kur rezultate të tilla janë goxha të zakonshme. Kjo të tregon se ke një skuadër që lufton deri në fund. Këto janë ndeshjet që duhen fituar. Ne kemi shumë besim te lojtarët tanë. Eksperienca ndihmon. Ata janë mësuar të luajnë në ndeshje të mëdha gjatë karrierës së tyre me shumë presion. Sa më shumë përvojë të kenë nga luajtja në këto ndeshje, aq më mirë është. Disa lojtarë të rinj mund të mos e kenë përvojën e ndeshjeve të mëdha, por marrin vendimet e duhura, për shkak të cilësisë që kanë.
Ne nuk duhet ta nënçmojmë eksperiencën, por ajo ndihmon”. Në lidhje me forcën e skuadrës së Unai Emerisë, ai tha: “Ata mundën Sëlltikun në shtëpi. Kur mëson kalendarin, ti e di që Aston Vila është një nga skuadrat më të forta me të cilat ne mund të përballemi. Ata kanë sjellë disa lojtarë shumë të mirë në merkaton e janarit dhe janë kualifikuar në tetë skuadrat më të mira të Championsit”.
BATUTA- Arne Slot shpreson që Markus Rashford të mos e nisë sot kthesën e tij, në ndeshjen kundër Liverpulit. Sulmuesi i huazuar nga Mançester Junajtid në janar vendosi të shkonte në “Villa Park” pas problemeve në “Old Trafford” këtë sezon dhe do përpiqet që të rigjejë formën e tij më të mirë në skuadrën e Unai Emerisë.
“Hera e parë që u përballa me Markus Rashfordin në jetën reale ishte në turneun tonë parasezonal në SHBA. Më bëri vërtet përshtypje se sa i shpejtë është. Ai ka një gjatësi të mirë dhe ndihet komod me topin. Shpresoj që ai do ta tregojë këtë tek Aston Vila, por sigurisht që nuk shpresoj ta bëjë këtë kundër nesh”, tha trajneri i Liverpulit.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL