Friday, 27. February 2026
Sport

Shehi debuton me humbje, Vllaznia fiton me përmbysje klasiken

GS 27/02/2026 2 Min. Lesezeit

Emocione të shumta ka dhuruar klasikja e futbollit shqiptar, përballja Vllaznia-Tirana në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Shkodranët kanë mposhtur me përmbysje 3-1 bardheblutë në sfidën që hapi javën e 26-të të kampionatit Abissnet Superiore.

Në një atmosferë elektrizuese, në një “Loro Boriçi” të mbushur me tifozë, Vllaznia mposht rivalët e Tiranës dhe konsolidon pozitat në krye të renditjes, tashmë në kuotën e 51 pikëve.

Ndeshja nis më mirë për kryeqytetasit, që zhbllokojnë sfidën me Xhixhën. Por festa e Tiranës zgjat pak, pasi Bismark barazon shumë shpejt shifrat. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1, me shkrodranët që pretendojnë një penallti në fundin e lojës.

Fraksioni i dytë nis menjëherë me gol. Vllaznia kalon në avantazh, falë një autogoli të shënuar nga Kortez. Vendasit luajnë më mirë dhe në minutën e 70-të fitojnë një penallti, që shndërrohet në gol nga Balaj.

Mbyllet 3-1 për Vllazninë klasikja e futbollit shqiptar. shkodranët ngjiten në kuotën e 51 pikëve në krye të klasifikimit dhe komplikojnë akoma më shumë situatën e Tiranës, që me 21 pikë pas 26 javësh rrezikon seriozisht rënien nga kategoria. Orges Shehi debuton me humbje në krye të bardhebluve.

Teilen: