Sezoni i ri futbollistik i Julian Shehut ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Mesfushori shqiptar i Vidzev Lodz ka shënuar golin e parë në kampionat për ekipin e tij në sfidën e fituar 2-0 përballë Zaglebie.
26-vjeçari bëhet kështu lojtari që e hap serinë e golave te Vidzev Lodz, në kampionat për sezonin 2025/2026, pasi mposhti portierin rival me një goditje me hark në hyrje të zonës.
Pas këtij takimi të fituar nga skuadra e tij, Julian Shehu doli përballë gazetarëve dhe tregoi sekretin që qëndronte pas rritjes së ndjeshme të nivelit të tij në fushë. “Grumbullimi në Kombëtaren shqiptare sigurisht që më ka dhënë shumë besim në aftësitë e mia. Me ekipin e Vidzev Lodz trajneri më ka ndryshuar edhe pozicionin në fushë duke më afruar edhe më shumë me portën kundërshtare. Me këtë pozicion të ri që kam mendoj se kam më shumë mundësi për të sulmuar”, pranoi Shehu.
Forma e mirë e shfaqur nga Shehu në muajt e fundit ka bërë që shumë skuadra të interesohen për shërbimet e 26-vjeçarit, i cili ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me klubin polak të Vidzev Lodz. “Po flas për të ardhmen me klubin, por kam edhe një vit kontratë prandaj jam më shumë i përqëndruar me atë çfarë ndodh në fushë”, komentoi Shehu.