“Në fillim të konferencës për shtyp, dua të pranoj se jam i lumtur që jam kthyer në Shqipëri. Isha këtu shumë vite më parë kur isha lojtar. Ishte viti 1995 dhe ndihem mirë që rikthehem në këtë vend, i cili ka tradita të bukura dhe një kulturë unike. E kuptoj shumë mirë që kemi një lojë të vështirë përpara. Pikat tona të forta janë një ekip i bashkuar, përkushtimi total në fushën e futbollit dhe respektimi i rreptë i disiplinës së lojës”, e nis fjalën e tij në konferencën para gazetarëve trajneri i Moldavisë, Sergei Kleshenko.
Cilat janë pikat e forta të shqiptarëve?
Kemi analizuar mirë kundërshtarin, një kundërshtar të fortë të përbërë nga lojtarë shumë të mirë, që luajnë në klube europiane. Na pret një ndeshje e vështirë. Ne e dimë filozofinë e futbollit shqiptar, e cila bazohet në një lojë të shpejtë dhe teknike.
Kë shihni të rrezikshëm nga lojtarët shqiptarë?
Shqipëria ka një sulm shumë të fortë. Por, e di që Armando Broja është jashtë, mbrojtësi i Romës, Marash Kumbulla, i dëmtuar. Mes lojtarëve ofensivë dua të veçoj Uzunin, por edhe Cikalleshi, një lojtar me eksperiencë dhe me sens goli. Por, linja sulmuese nuk mund të bëjë asgjë pa mesfushorë dhe shqiptarët kanë lojtarë si Asllani, Ramadani.
A ju kujtohet të keni luajtur kundër Shqipërisë në vitet ‘90 dhe të keni pësuar dy disfata, 0-3 dhe 2-3…
Më kujtohen ato disfata të pakëndshme, edhe pse arrita të shënoja gol ndaj shqiptarëve. Unë me të vërtetë dua që sulmuesit tanë të përsërisin arritjen time dhe të shënojnë gola. Në fund dua t’u uroj tifozëve një ndeshje spektakolare.
PANORAMASPORT.AL