Aventura e Erik Ten Hag te Mançester Junajtid duket se është shumë pranë fundit. Edhe pse drejtuesit e klubit shprehën besimin te trajneri dhe i rinovuan një tjetër vit kontratën në fillimin e sezonit, rezultat nuk po vijnë dhe tashmë trysnia e tifozëve po bëhet e papërballueshme.
Por për të bërë realitet dëshirën e tifozëve të cilët nuk e duan më holandezin në drejtim, klubi duhet të bëhet gati për një shpenzim kolosal. Sipas “Goal”, zgjatja e kontratës së Ten Hag gjatë verës do të rëndojë ndjeshëm arkat e klubit nëse mbyllin para kohe marrëveshjen me teknikun.
Totali që Mançester Junajtid duhet të paguajë do të jetë 17,5 milionë paund, shifër e cila do të ishte vetëm 10 milionë paund nëse nuk do të ishte firmosur ai rinovim gjatë verës. Një shumë jashtëzakonisht e lartë për Mançester Junajtid që ka filluar të regjistrojë humbje financiare vit pas viti dhe nëse i paguan këtë shifër Ten Hag si dëmshpërblim, duhet t’ia shtojë shpenzimit që do të bëjë për të afruar një tjetër trajner të ri cilësor.
PANORAMASPORT.AL