Trajneri rumun i ka bërë të gjithë për vete me rezultatet e deritanishme, duke kaluar emra si, Inzaghi, Mourinho, Conte dhe Mancini.
Me Inter-Juventus bëhen 40 ndeshje për trajnerin Cristian Chivu në stolin zikaltër, ku ai debutoi në Monterrey-Inter, në Los Angeles, në botërorin e klubeve. Pas “Derbit të Italisë” janë bindur të gjithë: drejtuesit, skuadra dhe tifozët. Trajneri rumun, pavarësisht eksperiencës së shkurtër te Parma dhe te sektori i të rinjve, është i aftë për të përçuar idetë e tij te lojtarët.
Lojtarët i ka bërë për vete me punë, ditë pas dite. Me të gjithë ka ndërtuar raporte të vërteta dhe të drejtpërdrejta. Numrat e tij, deri tani, janë të shkëlqyer: 29 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje (duke llogaritur edhe atë me penallti ndaj Bolonjës në gjysmëfinale të Kupës së Italisë).
Mesatarja e pikëve për ndeshje e Chivu është mjaft e lartë: 2.23. Trajneri rumun ka bërë më mirë se Inzaghi, madje edhe se Mourinho, Conte dhe Mancini, të cilët tek Interi kanë fituar dhe kanë lënë shenjë gjatë 20 viteve të fundit.
Marotta dhe Ausilio po punojnë për rinovimin e kontratës. Siç ka ndodhur me Inzaghi-n, rinovimi, – nëse do të ketë, – do të firmoset para nisjes së sezonit të ardhshëm. Për momentin Chivu ka kontratë mne Interin deri në 2027-ën, me 2 milionë e gjysmë pagë. Kuptohet që do të ketë rritje page dhe skadencë të re, deri në 2028-ën ose 2029-ën. Por, si gjithmonë, do të pritet fundi i kampionatit, Champions-i dhe Kupa e Italisë.
Interi është në garë në të tre frontet, megjithatë fundi i hidhur i sezonit të shkuar bën që në klubin zikaltër të tregojnë durim.
Duke lënë mënjanë botërorin e klubeve, me Chivu në stol janë 36 ndeshje të luajtura, 25 në kampionat, 8 në Champions, 2 në Kupën e Italisë dhe gjysmëfinalja e Superkupës në Riad.
Interi ka shënuar 83 gola, me një mesatare 2.31 golash për ndeshje. Me Chivu-n kanë shënuar 17 lojtarë, me në krye Lautaro Martinez me 18 gola. Mungojnë në apel vetëm 3 mbrojtësit Acerbi, De Vrij e Darmian, si dhe Frattesi.