Milani duhet të vendosë sa më shpejt, nëse do ta shesë apo jo sulmuesin Nkunku. Nëse vendos për po, duhet të bëjë sërish një zgjedhje të shpejtë për zëvendësuesin e tij, sepse Füllkrug mbulon më shumë mungesën e Santiago Gimenez.
Igli Tare duhet të zgjedhë mes një sulmuesi të ri dhe një eksperti. Skautët e Milanit kanë disa emra në listë. Nëse serbi Kostic shihet më tepër si një goditje për të ardhmen, pak më shumë gati është Sidiki Cherif, francezi i vitlindjes 2006. Me Angers, skuadrën ku luan, ai ka shënuar 4 gola në kampionat. Një kontakt i parë mes dy klubeve është bërë tashmë. Një element që nuk duhet anashkaluar ka të bëjë me faktin se Cherif sponsorizohet nga “Puma”, brandi teknik zyrtar i Milanit.
Një profil ndryshe, që luan në krah dhe si trekuartist apo sulmuesi i dytë, është Rayan i Vasco, që në verë kishte tërhequr vëmendjen e kuqezinjve. Por klubi brazilian ka një klauzolë 80 milionë euro dhe këtu gjithçka bëhet e vështirë.
Rruga e dytë që mund të ndjekë Milani në merkaton e dimrit është ajo e një sulmuesi që jep garanci. Ka qarkulluar emri i Mauro Icardi, por veç çështjes së pagës është edhe nyja e kohës, sepse Gallatasaraj nuk ka aktualisht në ekip Osimhen, të angazhuar në Kupën e Afrikës.
Nga Arabia Saudite vijnë zëra për Darwin Nuñez, i cili dëshiron të largohet nga Al-Hilal. Milani pati interesim për të që në verë, kur po largohej nga Liverpool. Pengesë u bë ana akonomike, pasi uruguaijani fiton shumë në Arabi. I njëjti diskutim vlen edhe për Gabriel Jesus të Arsenal. Emri tjetër në listë është ai i Mateta të Crystal Palace.


