Situata është delikate, për të mos thënë dramatike. Aktualisht, Juventusi është jashtë Ligës së Kampioneve të ardhshme dhe pasojat sportive dhe ekonomike mund të jenë të rënda. Një perspektivë që në Torino dëshirojnë ta shmangin me çdo kusht.
Skanavino dhe Xhuntoli kanë qenë të qartë me Tiago Motën, por edhe ata duhet dhe do të duhet të japin llogari për atë që do të thotë fusha. Me heshtjen e tij, Xhon Elkan nuk është aspak i kënaqur me mënyrën se si po shkon sezoni i Juventusit, por për momentin nuk dëshiron të bëjë lëvizje të guximshme. Takimi i pronarëve, i parashikuar për sot, me drejtorin e përgjithshëm Mauricio Slanavino, nuk do të trajtojë krizën e Juventusit, të paktën në detaje.
Por pavarësisht çfarë do të diskutohet në tavolinë, situata është delikate dhe është e qartë për të gjithë se pa Ligën e Kampioneve do të jetë e vështirë të shmangen shitje të rëndësishme, reduktime në buxhetin e merkatos dhe rinovime me shifra të larta.
Në rrezik janë rinovimet e kontratave të Gatit, i cili është lidhur këto orë me Napolin, si dhe rinovimi i Mekenit, por edhe blerjet e mundshme të Konseisao dhe Kalulu, që do të kenë një ndikim të madh në financat e Juventusit nëse konfirmohen.
Pa harruar Kolo Muaninë, i cili mund të mbetet vetëm nëse huazimi vazhdon pa detyrim për ta blerë. Sa i përket shitjeve? Pa të ardhurat nga Liga e Kampioneve, do të jetë e nevojshme të shiten disa lojtarë të rëndësishëm si Kambiaso, VlahoviÇ dhe ndoshta edhe Jildiz. Pra, një situatë e pasigurt që rëndon mbi shpatullat e Tiago Motës dhe Xhuntolit, të cilët janë përgjegjës për atë që mund të rezultojë një katastrofë e vërtetë.
PANORAMASPORT.AL