Goli i Sharl De Ketelare gjatë ndeshjes mes Atalantës dhe Milanit ishte i rregullt, nuk kishte asnjë faull që duhej të bënte të parregullt aksionin. Sipas “Sky”, ky është përfundimi që ka dalë nga Shoqata e Gjyqtarëve Italianë (AIA) dhe dizenjatori Xhanluka Roki, pasi janë marrë në shqyrtim detajet e ndeshjes Atalanta-Milan.
Në fund të ndeshjes, trajneri i kuqezinjve, Paulo Fonseka, kishte shpërthyer në akuza kundër gjyqtarëve, duke insistuar se goli i De Ketelare që u dha avantazhin bergamaskëve, duhej anuluar për një faull. Megjithatë, ashtu si vendimi i gjyqtarit në fushë, edhe drejtuesit e AIA e shohin përplasjen në ajër si normale, duke mos marrë asnjë masë ndaj gjyqtarit Federiko La Pena.
Paralelisht, Federata Italiane do të marrë në shqyrtim deklaratat e Fonsekës, teksa nuk përjashtohet mundësia e nisjes së hetimeve për fjalë që mund të cilësohen si fyese ndaj imazhit të gjyqtarëve.
”E kam qepur gjithmonë gojën kur të tjerët flasin, por të qëndrosh pa folur dhe të shohësh çfarë ndodhi te goli i parë është e pabesueshme. Nuk ka asnjë dyshim për atë episod. Unë e di që profesioni i arbitrit është i vështirë, por jam lodhur duke parë gjithmonë të njëjtat gjëra. Kundër Milanit nuk ka kurrë dyshime, nuk ka respekt ndaj nesh”, ishin fjalët e Fonsekës pas ndeshjes së të premtes në darkë.
PANORAMASPORT.AL