Sinjale jete përpara kupave. Atalanta që fiton Europa Ligën dhe mahnit Europën duke mposhtur në finale të pathyeshmin Leverkusen.
Interi në vitin 2023 përballet në finalen e Champions-it me Sitin dhe lufton me të deri në sekondën e fundit. Roma dhe Fiorentina kanë pësuar 2 humbje në finalet, njëra të Europa Ligës dhe tjetra të Konferencë Ligës. Pa harruar që Roma fitoi për herë të parë Konferencë Ligën në finalen e madhe të Tiranës. Vendi i parë në renditjen e UEFA-s 2024 i dhuron Italisë një skuadër më shumë në Champions-in e ri. Ndodhi parakalimi historik në renditjen e UEFA-s kundër Spanjës dhe më mirë sesa Italia është vetëm Anglia. Por rekordi është thjesht në letër.
15 VITE- Italia nuk fiton një Champions League që nga viti 2010, kur triumfoi në mbrëmjen e Madridit me Zhoze Murinjon kundër Bajernit. Finalja e radhës do të jetë më 31 maj në Mynih. 15 vite pa fitore Champions-i janë shumë, në futboll është si një jetë. Në historinë e Champions-it apo Kupës së Kampionëve ka pasur vetëm një periudhë më të gjatë sesa kjo pa fitore, nga 1969 (Milan-Ajaks 4-1) deri në 1985 (JuventusLiverpul 1-0). Atëherë kaluan 16 vite. Skuadrat e Serisë A janë afruar rrezikshëm dhe kanë flirtuar me fitoren, por nuk ia kanë dalë. Dy herë Juventusi është mposhtur nga spanjollët, Barcelona dhe Reali i Madridit. Vetëm dëshira nuk ka mjaftuar, sepse në fund te kupa është gdhendur emri i të tjerëve.
JO VETËM REALI– Rifillon tani Liga e Kampionëve, rifillon sulmi për të triumfuar. Serie A do të përfaqësohet me Interin, Atalantën, Juvntusin, Milanin dhe Bolonjën. Nuk ka vend për iluzione përballë një Reali Madridit që ka transferuar Mbapenë, fenomenin e ri Endrik, ka rigjetur Gylerin në formën optimale. Edhe Siti, Bajerni, PSG-ja dhe Liverpuli e Barcelona janë të rrezikshme. Nuk mund të nënvlerësohen po ashtu Arsenali, Leverkuseni dhe Atletiko. Por italianët nuk nisen të dorëzuar dhe nuk kanë frikë. Do të luajnë si të barabartë dhe për të befasuar.
SURPRIZAT- Pikërisht kështu do të nisë një kompeticion që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Me një grup unik dhe një klasifikim unik. E padeshifrueshme deri sa të ndodhë. Askush nuk e di nëse skuadrat e mëdha do të përballen me njëra-tjetrën për t’u lënë hapësirë ekipeve të vogla që të ëndërrojnë. Ndoshta 2 ndeshje më shumë në fazën e grupeve do të japin shpresë për ata që nuk kanë menaxhuar mirë të parat. Një turne, i hapur me skenarë të papritur. Historikisht, Champions-i nuk fitohet shpesh radhazi. Vetëm Reali i Madridit me Zidanin dhe Ronaldon arritën që të fitonin 3 herë Champions-in nga viti 2016 deri në vitin 2018.
INTER-ATALANTA Kush e kishte imagjinuar Interin në finalen e Stambollit? A mund të mendohej një Atalantë me kupën në duar? Në futbollin që dita ditës rinovohet dhe ndryshon, asgjë nuk është e shkruar, por Champions-i është një kompeticion ku triumfon skuadra që bën më mirë detyrat tekniko-taktike. Italia shpreson që të prezantohet me kredenciale dhe të gjithë ta respektojnë. Interi shihet si skuadra kryesore, një nga më solidet dhe më të organizuarat në Europë. Nuk ka ndryshuar trajnerin si Liverpuli, Barcelona, nuk ka humbur Mbapenë si PSG-ja dhe ka një skemën 3-5-2 që e di përmendësh. Edhe Atalanta pak a shumë është në të njëjtën situatë. Skuadra që i dha leksione ekipit kampion të Gjermanisë mund të tentojë të bëjë sërish surprizën. Sytë e italianëve janë nga Inzagi dhe Gasperini.
MOTIVIMI I JUVES– Një shkallë më poshtë renditet skuadra e Juventusit, që vjen pas një viti jashtë kupave të Europës dhe e revolucionarizuar në të gjitha aspektet. Asnjë skuadër tjetër nuk ka kaq shumë motivim sesa bardhezinjtë. Tiago Mota nuk është i panjohur në Europë. Ka fituar Champions-in si lojtar me Barcelonën dhe Interin. Por sigurisht nga Verona në Champions është si nga Toka në Hënë. Shumë të panjohura, por me besim dhe dëshirë.
PO MILANI?- Shumë pak inkurajues fillimi i kampionatit për Milanin që nuk ka një identitet të qartë loje, por pretendon se e ka një prej klubi të madh. Dhe nëse Parma të ndëshkon, imagjino çfarë ndodh në Champions. Në ADN-në e kuqezinjve është ky kompeticion. Të shohim nëse Fonseka do të dijë të rifillojë rrugëtimin e tij. Në vazën e katërt ndodhet Bolonja, për të cilën vetëm pjesëmarrja është si fitore. Por Italiano e ka dërguar Juventusin në dy finale Konference, me pak fat dhe në short, ku i dihet çfarë mund të ndodhë. Champions-i i fundit për italianet është në vitin 2010, 4 vite më parë Botërori në Berlin. Katër vite më parë Italia fitoi Europianin në Uembli. Nuk do të thotë asgjë, por është një rastësi e bukur…
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL