Nga një prej blerjeve më të bujshme të merkatos së verës, në një çështje të hapur brenda skuadrës së Juventusit. Ky është rrugëtimi i deritanishëm i Duglas Luizit, mesfushorit brazilian që, pas transferimit nga Aston Vila në Torino, po përjeton një sezon të vështirë dhe të mbushur me polemika.
Një koment ironik në rrjetet sociale ka ndezur diskutimet rreth performancës së tij, duke nxitur një reagim të ashpër nga vetë lojtari, i cili ka zgjedhur t’u përgjigjet publikisht kritikëve, por edhe të shpërthejë.
KOMENTI- Gjithçka nisi nga një koment në Instagram, ku një tifoz shkruante: “A ke ardhur në Torino për të luajtur apo për të postuar në Instagram?”. Kjo kritikë nuk kaloi pa përgjigje nga Luiz, i cili publikoi një mesazh të gjatë dhe emocional, ku, përveç krenarisë për zgjedhjen e tij për t’u bashkuar me “Zonjën e Vjetër”, shprehu edhe zhgënjimin për mungesën e besimit dhe minutave në fushë. “Nuk kam ardhur këtu për të postuar foto”, shkroi ai.
“E kam ndjekur zemrën time kur firmosa për Juventusin. Por, më tregoni, pse një lojtar si unë nuk ka luajtur dy ndeshje radhazi me këtë fanellë?”. Luiz përmendi gjithashtu faktin që kishte pasur një sezon të shkëlqyer në Premier Ligë dhe kishte bërë të gjithë përgatitjen parasezonale me ekipin e ri. Megjithatë, një sërë dëmtimesh e kanë frenuar jo vetëm atë, por edhe shumë të tjerë në skuadër. Një valë që ka tronditur fizikun e shumë bardhezinjve këtë sezon. Pavarësisht kësaj, ai thekson se edhe në periudha kur ishte në formë, minutazhi i tij mbeti i kufizuar. “Nuk jam një lojtar që dëmtohet shpesh”, shton ai. “Por këto dëmtime ishin të çuditshme. Ka shumë gjëra që mund të kenë ndikuar, por preferoj të mos flas më gjatë. Megjithatë, do të jap gjithçka për këtë klub, edhe nëse është e vështirë”.
SITUATA- Shifrat e Luiz këtë sezon e konfirmojnë mungesën e stabilitetit. 23 paraqitje në total, vetëm 800 minuta në fushë dhe shumë pak si titullar. Për një futbollist që vetëm një vit më parë ishte ndër mesfushorët më të kompletuar të Premier Ligës, kjo paraqitje është shumë poshtë pritshmërive.
Në një moment ku Juventus kërkon të ndërtojë një bërthamë të re për mesfushën e së ardhmes, çështja Duglas Luiz mbetet një nyje që kërkon zgjidhje. Por nga deklaratat e tij del një mesazh i qartë. Ai nuk ka ardhur për të hequr dorë, por për të luftuar për fanellën, për vendin në fushë dhe për dinjitetin e tij si profesionist. Megjithatë, për të arritur këtë gjë, Duglas Luiz duhet të punojë shumë, duhet të fitojë hapësirat që nuk i ka gjetur ende edhe pas një sezoni me shumë ulje-ngritje të “Zonjës së Vjetër”.
PANORAMASPORT.AL