Jorge Mendes, përfaqësuesi i Lamine Yamal, dëshiron të përmirësojë kontratën që futbollisti ka me Barcelonën. Menaxheri i njohur është i vetëdijshëm se adoleshenti i “blaugranave” është futbollisti i momentit dhe për këtë arsye ka nisur të lëvizë pavarësisht asaj që ishte parashikuar në marrëveshjen e parë kontraktuale.
Në Euro 2024 Yamal tregoi se talenti i tij është i jashtëzakonshëm. Një fakt i kohëve të fundit e vërteton këtë: fanella e Yamal për sezonin e ri 2024 – 2025 është më e kërkuara nga tifozët.
Në këtë kuptim, një nga gjërat që tërheq më shumë vëmendjen është mosha e sulmuesit, të cilin shumë njerëz e konsiderojnë që tani një legjendë.
Tani, Jorge Mendes, përfaqësues i lojtarit, ka filluar të lëvizë për të kërkuar rishikim të termave financiarë në kontratën e klientit të tij.
Sipas “Sport”, Mendes është hedhur në veprim i vetëdijshëm që paga e Yamal është shumë larg shpërblimeve që marrin futbollistët e tjerë të ekipit të parë.
Premtimi i presidentit të Barçës
“Sport” bën të ditur se përfaqësuesi dëshiron të përshpejtojë hapat për të përshtatur pagën me performancën e “xhevahirit”. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i ndërgjegjshëm për kërkesën e Jorge Mendes.
Është me vend të kujtojmë se Leo Messi është një nga lojtarët e paktë që kur ishte 22 vjeç, klubi e kishte përmirësuar marrëveshjen me të në 5 raste.