Luka Donçiç është rikthyer në Dallas, por kësaj radhe si lojtar i Los Angeles Lakers për tu përballur për herë të parë me ish-skuadrën e tij. Megjithatë pritja dhe lamtumira që mori nga tifozët e Dallas do të hyjnë në histori të NBA.
Donçiç u shkëmbye krejtësisht çuditërisht nga Dallas te Lakers dy muaj më parë, dhe tifozët e Mavericks fajësuan menaxherin e përgjithshëm Niko Harrison për atë lëvizje të pakuptueshme dhe të dëmshme për klubin.
Ata treguan mbrëmë se ende mendojnë se Donçiç nuk kishte asnjë lidhje me këtë kur e pritën Lukën siç nuk e ka bërë asnjë ish-lojtar tjetër i klubit të tyre.
Të gjithë tifozët në sallë kishin veshur bluza me shkrimin “Luka, faleminderit për gjithçka” në sllovenisht dhe shumica prej tyre mbanin edhe slogane duke falënderuar Donçiçin.
Para prezantimit zyrtar të lojtarëve, në video-murin e madh në sallë u shfaq një video treminutëshe që falënderonte Donçiçin për gjithçka që kishte bërë për Mavericks në shtatë vitet e mëparshme dhe Luka nuk mund t’i fshehte lotët teksa dëgjonte ovacionet nga tribuna.
Në prezantimin zyrtar, tifozët e Dallasit e përshëndetën Donçiçin edhe më fort se lojtarët e tyre dhe më pas slloveni brilant tregoi magjinë e tij në fushë.
Donçiç shkëlqeu në fushë dhe e mbylli ndeshjen me 45 pikë, 8 kërcime dhe 6 asistime.
“Të gjithë e panë se si reagova ndaj videos. Të gjithë këta tifozë, i vlerësoj shumë. Shokët e mi të skuadrës… të gjithë kishin kurrizin tim, jam i lumtur. Unë i dua këta tifozë dhe këtë qytet, por është koha për të vazhduar”, tha Donçiç në deklaratën e tij të parë.
“Kaq shumë emocione, as që mund t’i shpjegoj. Më lotuan sytë. Erdha në Dallas si djalë, vetëm 18 vjeç. Këtu u ndjeva si në shtëpinë time. Kam shumë kujtime të mrekullueshme”, shtoi Donçiç.
“Nuk e di se si e kam luajtur këtë lojë, sepse kur e pashë këtë video, mendova: ‘Nuk ka mundësi të luaj sot’. Por shokët e skuadrës më ndihmuan shumë dhe më mbështetën sot”.
Në fund, gazetari e pyeti se cila ishte gjëja më e mirë për t’u rikthyer në Dallas, përveç 45 pikëve.
“Së pari, mund të flija në shtratin tim dhe së dyti, mund të isha përsëri me fansat, me të cilët kalova gjashtë vjet e gjysmë. Mbështetja e tyre ishte thjesht e pabesueshme”, përfundoi Donçiç.