Një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse ka tronditur mbrëmjen e kësaj të enjteje lagjen Kiras në Shkodër, ku objektiv i sulmit dyshohet të ketë qenë automjeti i A.B, ekspert i Policisë së Shkodrës.
Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse i është vendosur automjetit në rrethana që ende nuk janë sqaruar, ndërsa shpërthimi ka shkaktuar panik në zonë dhe ka alarmuar banorët përreth.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie, grupi hetimor dhe ekspertët kriminalistikë, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe mbledhjen e provave.
Burime paraprake bëjnë me dije se një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me detyrën e efektivit të policisë, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet për motivet e shpërthimit.
Hetuesit po verifikojnë kamerat e sigurisë në zonë, si dhe çdo të dhënë që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, policia pritet të dalë me një komunikatë zyrtare për të dhënë detaje më të plota mbi rrethanat e shpërthimit dhe ecurinë e hetimeve.
/rtsh.al/