“Ëndërroj fitoren e shtatë radhazi në derbi, shpresoj një tjetër triumf. Ëndërroj një Inter që të bëjë si Valentino Rosi”.Marko Materaci, na shpjegon pak çfarë do të thotë kjo e fundit? Çfarë do të thotë një Inter si Valentino Rosi?
Valentino, kur erdhi te Yamaha, shpiku gjithçka për të fituar garën e parë. Ishte ulur në një motor që nuk kishte fituar kurrë. Dhe ai ia doli. Dhe ky sukses ishte një sinjal i jashtëzakonshëm që iu dha rivalëve: Ja pra, kampioni. Fitorja e 3 pikëve nesër do të jetë diçka e rëndësishme për Interin dhe do t’ju jepte një goditje rivalëve.
Është një derbi me dy skuadra që vijnë në skaje? Çfarë rreziku ka Interi?
Është gjithmonë një disavantazh që ta luash derbin në kushte të tilla. Skuadra që është më keq dhe më në krizë jep më shumë sesa 100% në fushën e lojës. Shpeshherë fiton ekipi më i dobët, por jemi duke folur për Interin. Jemi duke folur për një skuadër që prej 2 vitesh është më e forta në Itali. Pavarësisht se kush luan, identiteti është i njëjtë. Mançesteri e konfirmoi këtë gjë.
Çfarë ju pëlqen më shumë nga zikaltrit?
Siguria që transmetojnë kundër çdo kundërshtari. Dhe kjo më qetëson kur mendoj për derbin. E patë Zielinskin çfarë ndeshje bëri ndaj Sitit? Dukej sikur kishte një jetë që luante me Interin. Tani nuk kuptohet se kush është titullari në këtë skuadër. Kush zbret në fushën e lojës jep gjithmonë gjithçka. Këtë vit kanë afruar Zielinskin dhe Taremin, që zëvendësuan Lautaron dhe Mkitarianin. Dhe nuk e them këtë thjesht sepse barazuan me Sitin. Mendoj që edhe me Monzën do ta kishin fituar, por thjesht erdhi ai eurogol i Motës.
Nëse keni një këshillë që do t’u jepnit lojtarëve të Interit, cila do të ishte?
Nuk duhet të mendojnë për 6 derbit radhazi të fituar sepse të bëjnë të zbresësh në fushën e lojës me qetësi dhe kjo nuk do të ishte diçka e mirë. Këto janë ndeshje që kanë disa komponentë që nuk kanë lidhje me logjikën. Dhënë këtë, unë kam në mendje fitoren e shtatë radhazi. E di mirë se çfarë do të thotë. Dhe pastaj ka një rastësi…
Çfarë?
Luhet në datën 22, ashtu si në 22 prill. Dhe është një sinjal i mirë për Interin.
Lautaro në pankinë dhe ende pa shënuar. Çfarë efekti ju jep?
Unë them që mjafton të shënojë një gol dhe do të rikthehet ai i sezonit të kaluar. Por për çfarë jemi duke folur? Ai nuk bëri fare pushim dhe pak stërvitje. Por ai po fiton kudo, me Interin dhe Argjentinën. Është mes 30 kandidatëve për “Topin e Artë”.
Si një ish-mbrojtës, jeni të befasuar nga Bisek?
Është duke mësuar nga ata që ka afër vetes, lojtarë me eksperiencë dhe 34 apo 36-vjeçarë si Darmian dhe Açerbi. Është duke u rritur shumë shpejt.
Çfarë mesfushe prisni kundër Milanit?
Barela-Çalhanoglu dhe Mkitarian. E patë çfarë ndeshjeje bëri Nikolo kundër Sitit? Tani kuptohet pse Guardiola e ka dashur me ngulm. Për mua është si Rodri, është një rol ndryshe për flas për nivel.
I keni dëgjuar fjalët e Ibrahimoviçit, që është ai bosi dhe komandon çdo gjë te Milani?
Nuk më bën asnjë përshtypje për të qenë i sinqertë. Le të themi që janë fjalë që bëjnë pjesë në personazhin e tij. Mua më vjen të them vetëm këtë, si tifoz i Interit: Shpresoj që te Milani të mos rikthehet më Paolo Maldini…
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL