Torino ka qenë gjithmonë speciale për të, pasi aty ka kaluar fëmijërinë. Ishte vetëm 4 vjeç kur bashkë me babain Lilian u transferuan në qytetin verior për të qëndruar aty pesë vite, ato që kanë shënjuar eksperiencën italiane të Markusit. Të shtunën pasdite, Turam u rikthye në Torino si kundërshtar, për ta pushtuar këtë herë me Interin e tij.
Francezi ka zhbllokuar rezultatin ndaj “granatave” duke e çliruar presionin e zikaltërve, që kanë shënuar edhe dy herë të tjera. Në kuotën e 3 golave në kampionat, 26-vjeçari i ka synimet e qarta, nga ai i të ndihmuarit ekipin, te shpresa për tu bërë si Zlatan Ibrahimoviç, me të cilin është krahasuar (Fabio Kanavaro është shprehur se Turam i kujtonte Ibrën e vitit të parë te Juvja).
Sa peshojnë këto tre pikë në një ndeshje të komplikuar?
Çdo ndeshje është e komplikuar në Serinë A jashtë fushe. E dinim se ishte e vështirë në Torino, por në pjesën e dytë shënuam tre gola dhe arritëm një fitore të bukur. Torino është skuadër fizike dhe mendoj se ia dolëm në mënyrën e duhur.
Çfarë ju përcolli Inzagi në pushimin mes pjesëve?
Vuajtja në shtëpinë e Torinos mendoj se është normale, ata janë një ekip shumë fizik. Rregulluam disa gjëra në mesfushë dhe shkoi më mirë.
Si përshtateni me Dumfrisin?
Është lojtar i madh, më dha një asist dhe e falënderoj. Shkoj shumë mirë me të. Po e njoh ditë pas dite dhe mendoj se do të bëjmë mirë.
Ju ka befasuar ky start?
Jo, ndihem shumë rehat dhe dua ta ndihmoj ekipin në çdo ndeshje. Ky është një klub i madh. Unë jam duke u rritur në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje, shpresoj të bëjmë edhe më mirë herën tjetër”.
Çfarë i thoni Kanavaros që ju krahason me Ibrahimoviçin?
Jam krenar për krahasimin, është bukur të krahasohesh me një futbollist të madh. Shpresoj që të bëhem si ai.
E radhës është ndeshja në Ligën e Kampioneve.
Ne luajmë çdo tre ditë, do të thotë që pas çdo ndeshjeje duhet të fokusohemi menjëherë në atë që vjen më pas. Nuk kemi kohë për t’u ndalur.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL