Hijet që rrethojnë gjendjen shëndetësore të Ezekuel Lavecit, kanë filluar të zhduken. Për sqarimin e situatës së ish-lojtarit të Napolit është kujdesur avokati i tij, Mauricio Dalesandro, i cili në një prononcim për “So Foot” tregoi:
“Laveci vuan nga hipomania, një çrregullim kronik që ndikon në humorin e tij. Ai kishte vuajtur pasojat e kësaj patologjie edhe në të kaluarën. Laveci nuk trajtohet për konsum droge apo alkooli, por për një çrregullim psikiatrik që mund ta shtyjë edhe të dëmtojë veten”.
Ditët e fundit në Argjentinë kishin qarkulluar thashetheme se ai ishte shtruar në spital për mbidozë. Një version i mohuar kategorikisht nga djali i tij Tomas.
Prej javësh ishin hedhur hipoteza të ndryshme, pasi Pocho u dërgua në spital më 20 dhjetor të vitit të kaluar me disa dëmtime të lehta për shkak të një aksidenti të paspecifikuar në familje.
Dalesandro ka hedhur dritë edhe mbi këtë episod: “Në mes të natës ai dëgjoi një zhurmë dhe mendoi se kishin hyrë njerëz në shtëpi, kështu u dëmtua. Kur doli nga spitali u përpoq të kapërcente krizën i vetëm, por nuk mundi, prandaj shkoi në klinikë. Nuk është një patologji që kurohet kaq lehtë, kërkon kujdes mjekësor”, përfundoi ai.
PANORAMASPORT.AL