Alvaro Morata është i sigurt se Spanja e tij dhe Italia, do të jenë skuadrat që do të kalojën grupin në Euro 2024. Pikërisht atë grup ku bën pjesë edhe Kroacia me Shqipërinë, i cilësuar nga shumëkush si “grupi i ferrit” në aktivitetin e kësaj vere.
Duke folur për “La Gazzetta Dello Sport”, Morata është ndalur edhe te aktiviteti në Gjermani, ku ai do të jetë me shiritin e kapitenit në krah në kërkim të një suksesi.
“Unë jam gati të firmos që Spanja dhe Italia kalojnë grupin dhe shtoj edhe diçka tjetër, që kush kualifikohet nga grupi jonë, pastaj do të shkojë larg. Por do të jetë shumë e vështirë. Kroacia ka një gjen konkurrues të pamasë, vendi i dytë dhe i tretë në Botëror, vitin e kaluar në Ligën e Kombeve i mundëm me penallti. Dhe Shqipëria ka bërë një grup kualifikues spektakolar.
Problemi është se nuk mund të gabosh, nëse gabon një herë je menjëherë nën presion. Por unë si kapiten them se kjo Spanjë ka një grup të madh dhe mendoj për Italinë. Ju Europianin e vitit 2021 e keni fituar falë forcës së grupit, ai është shembulli për t’u ndjekur”, shpjegoi sulmuesi i Spanjës.
Shqipëria përballet me Spanjën në ndeshjen e tretë në Grupin B të Euro 2024. Sfida do të luhet me 24 qershor në orën 21:00 në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” në Dyseldorf.
PANORAMASPORT.AL