Saturday, 7. November 2026
Sport

Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin në fushën e inspektimeve

GS 07/11/2026 2 Min. Lesezeit

Inspektorati i Përgjithshëm i  Shqipërisë dhe Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Kosovës kanë formalizuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit dhe fuqizimit të kapaciteteve institucionale.

Përmes një marrëveshjeje të re bashkëpunimi, të nënshkruar nga Dashnor Sula dhe Lyra Osmani Ahmeti, të dyja palët janë angazhuar për thellimin e partneritetit dypalësh në fushën e inspektimeve.

Kjo nismë synon ndërtimin e urave të reja të komunikimit dhe bashkëpunimit përmes shkëmbimit të ekspertizës, adoptimit të praktikave më të mira dhe zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të inspektorëve. Dokumenti i bashkëpunimit përcakton një platformë konkrete veprimi, e cila fokusohet te harmonizimi i metodologjive dhe praktikave të inspektimit, si dhe te shkëmbimi i ndërsjellë i ekspertëve dhe përvojave të suksesshme në këtë fushë.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet procesit të digjitalizimit dhe modernizimit të proceseve inspektuese, duke synuar përshtatjen me standardet bashkëkohore dhe rritjen e transparencës e të efikasitetit. Gjithashtu, marrëveshja parashikon zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta për rritjen e profesionalizmit, si dhe ndërmarrjen e nismave dhe projekteve rajonale me interes të përbashkët.

Sipas Inspektoratit të Përgjithshëm, ky hap shënon një zhvillim domethënës drejt përmirësimit të standardeve të kontrollit dhe mbikëqyrjes, duke garantuar një sistem më efikas, transparent dhe në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm institucional mes dy vendeve.

/rtsh.al/

Teilen: