Në maj të vitit të ardhshëm, gara e famshme popullore e çiklizmit “Giro d’Italia” do të mbledhë në Shqipëri çiklistët më të mirë të botës në një nga aktivitetet më të njohura sportive, të quajtur “Nisja e Madhe 2025”.
Gjatë konferencës me organizatorët e “Giro d’Italia”, kryeministri Edi Rama deklaroi se ky aktivitet është një mundësi e mirë për të prezantuar Shqipërinë në sytë e botës.
“Është një rrugë e jashtëzakonshme për të çuar kartvizitën e vendit në 3 ditë me radhë, drejtpërdrejt nëpërmjet regjisë së xhiros, e cila është e specializuar për transmetimin e imazheve në mbi 200 vende të botës, duke ia prezantuar Shqipërinë mbi 800 milionë spektatorëve. Natyrisht, nuk ishte një diskutim i lehtë edhe për faktin se, ndërkohë, vende të tjera kishin paraqitur më shpejt kandidaturën e tyre. Na u desh pak kohë për t’i bindur për infrastrukturën dhe logjistikën tonë. Nëse nuk e bënin më të mirë, ne kemi edhe metoda të tjera, por përveç shakasë, disponimi i presidentit dhe ekipit ishte shumë i madh për të mbështetur kandidaturën e Shqipërisë,” tha Rama.
I pyetur për rëndësinë turistike që organizimi i këtij eventi sjell, kreu i qeverisë solli në vëmendje vizitën e kryeministres italiane Giorgia Meloni për pushime në Shqipëri.
“Shqipëria, pas Luftës së Dytë Botërore, ka pritur për herë të parë një kryeministre për të kaluar disa ditë pushime këtu. Giorgia Meloni është një nga rreth 1 milion italianët që pushuan në Shqipëri, dhe numri është vetëm në rritje. Ajo që ne marrim nga Italia, gjithmonë e kthejmë, sepse ata që udhëtojnë nga Shqipëria drejt Italisë janë më shumë sesa italianët që vizitojnë Shqipërinë,” shtoi kryeministri.
Në konferencën e prezantimit të “Giro d’Italia”, CEO i RCS Sport, Paolo Bellino, u shpreh se ky event është një mundësi e shkëlqyer për të treguar pamjet e mrekullueshme të vendit tonë dhe mikpritjen shqiptare.
Sipas itinerarit, më 9 maj, gara do të nisë nga Durrësi dhe do të përfundojë në Tiranë, me një gjatësi prej 164 kilometrash. Në itinerarin e dytë, më 10 maj, do të përfshihet një distancë prej 13.7 kilometrash, që nis dhe përfundon në Tiranë. Ndërsa më 11 maj, dita e tretë e garës, do të përfshijë një gjatësi prej 160 kilometrash, me nisje dhe përfundim në Vlorë.
Gara pritet të transmetohet drejtpërdrejt në mbi 200 televizione botërore dhe konsiderohet një traditë me histori 114-vjeçare.