Kombëtarja e Futbollit të personave me aftësi të kufizuara intelektuale do të përfaqësojë Shqipërinë në “Genuine Cup 2026”, që do të organizohet në Houston, Texas, SHBA, nga 26 korriku deri më 2 gusht. Për herë të parë Shqipëria merr pjesë në një kompeticion me përmasa të tilla ndërkombëtare me një ekip të të rinjve me aftësi të kufizuara.
Kjo është një arritje sportive, por mbi të gjitha është një fitore për përfshirjen. Prej disa muajsh, Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me organizatën Klubi Kombëtar i Prindërve të fëmijëve me CSA&P.A.K /Autizmi Flet ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për të përgatitur pjesëmarrjen e të rinjve më aftësi të kufizuara intelektuale në “Genuine Cup 2026”.
Skuadra shqiptare, e përbërë nga 12 futbollistë, po zhvillon përgatitjet e fundit përpara nisjes, ndërsa vijon stërvitjen në “Shtëpinë e Futbollit”. Në seancën e radhës stërvitore ishin të pranishëm zv.presidenti i FSHF-së, Geri Çipi, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Blendi Fevziu si dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala.
Në një prononcim për fshf.org, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, theksoi rëndësinë e përfshirjes sociale dhe kontributin që jep futbolli në këtë aspekt.
“Kjo është arritje shumë e madhe që për herë të parë një ekip shqiptar merr pjesë në “Genuine Cup 2026” se nuk janë të pakta këto arritje që duhet t’i njohim, por duhet thënë në të njëjtën kohë që edhe ne si Ministri e Politikave Sociale kemi bërë një hap të ri, kemi kaluar nga vetëm mbështetja ekonomike në një përfshirje sociale të vërtetë që shumë e rëndësishme, përfshirja në sport, në kulturë, në arsim, në jetën e përditshme dhe ashtu do vazhdojmë për të kaluar nga ndihma e thjeshtë sociale në përfshirjen në komunitet, aty ku dëgjohet fjala dhe me të drejta të barabarta”.
Zv.presidenti i FSHF-së, Geri Çipi, nënvizoi impaktin e futbollit në krijimin e mundësive për personat me aftësi të kufizuara që të zhvillojnë një aktivitet normal si gjithë të tjerët.
“Kjo arritje, që jemi ne këtu sot, është rezultat i një bashkëpunimi dhe angazhimi të Federatës Shqiptare të Futbollit me shoqatën. Dhe do të shtoja që, falë këtij bashkëpunimi, kemi arritur të krijojmë këtë ekip futbolli, që edhe këta persona me aftësi të kufizuara të përfaqësojnë vendin e tyre në aktivitete ndërkombëtare. Edhe një herë dua ta theksoj. Ky është një mesazh i qartë që futbolli është gjithëpërfshirës, që edhe këta persona të ndihen njësoj si gjithë të tjerët dhe të krijojnë e të zhvillojnë një aktivitet normal si të gjithë ne”.
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Blendi Fevziu, falënderoi të gjitha strukturat që e bënë të mundur këtë përfaqësim të Shqipërisë, si dhe vlerësoi shembullin që jep kjo skuadër në tejkalimin e sfidave nëpërmjet futbollit.
“Meqenëse është një moment i veçantë që një përfaqësi e Shqipërisë po shkon të luajë në Houston, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të doja të falënderoja, së pari, të gjitha shoqatat e të rinjve me aftësi të kufizuara, mbi të gjitha për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm. Kjo tregon, së pari, se nuk ka pamundësi në jetë, pra se gjithçka është e mundur, dhe, së dyti, se futbolli është gjithëpërfshirës, si për ata që stërviten çdo ditë në futbollin profesionist, ashtu edhe për ata që janë amatorë, por edhe për këta të rinj që kanë pasur një vështirësi në jetën e tyre dhe përpiqen ta tejkalojnë pikërisht nëpërmjet futbollit. Falënderoj të gjitha shoqatat, falënderoj ministren dhe, natyrisht, përfaqësuesit e Federatës, të cilët kanë arritur t’i përfshijnë dhe t’i angazhojnë këta të rinj në strukturat e tyre, të cilët duhet të ndihen të barabartë me të gjithë të tjerët”.
Pjesëmarrja në “Genuine Cup 2026” është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet FSHF-së dhe Shoqatës ndër vite. Përmes këtij angazhimi është bërë i mundur krijimi, zhvillimi dhe mbështetja e këtij ekipi, duke u ofruar personave me aftësi të kufizuara intelektuale mundësinë të jenë pjesë aktive e futbollit dhe të përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare.
Ky projekt pasqyron angazhimin e FSHF-së për një futboll gjithëpërfshirës, ku secili ka mundësinë të luajë, të zhvillohet dhe të ndihet pjesë e komunitetit, pavarësisht aftësive apo sfidave që ka. Mesazhi është i qartë: futbolli është për të gjithë, pa dallime dhe pa kufizime, duke promovuar barazinë, përfshirjen dhe respektin për çdo individ.