Tri futbolliste me prejardhje nga Kosova do të jenë pjesë e Shqipërisë në përballjen që luhet sot prej orës 15:00 në Tiranë, në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s për grupmposhën U15.
Laureta Dautaj, Agnesa Mehmeti dhe Adela Thaqi janë ftuar nga Kombëtarja U15 e Shqipërisë për të luajtur në këtë turne, që mbahet në Tiranë dhe marrin pjesë edhe Maqedonia e Veriut e Estonia.
Të trija futbollistet bëjnë karrierë në Norvegji dhe kanë refuzuar ftesën e grupmoshave të reja të Norvegjisë për të qenë pjesë e Shqipërisë.
Laureta Dautaj është pjesë e ekipit U15 të Haugerud IL, Adela Thaqi luan për U15 të Mjondalen IL dhe Agnesa Mehmeti aktivizohet tek U15 e Kvik Haldne.
Dautaj, Thaqi e Mehmeti janë përzgjedhur nga Shqipëria në një grumbullim të mbajtur në Norvegji për futbolliste gjatë muajit qershor dhe ku ishin të pranishme rreth 80 vajza.
Krahas këtyre trijave, janë përzgjedhur edhe lojtare tjera për grupmosha të ndryshme te Shqipëria, si Melisa Kelmendi, Amalia Abazi, Tringa Nuhaj, Veronika Hulaj e Florentina Kuqi. Madje, kjo e fundit bën karrierë në ekipin e parë të Sarpsporgut derisa të tjerat aktivizohen te grupmosha U17 dhe U19.
Në fakt, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), tashmë ka angazhuar një skaut në Norvegji për zbulimin e talenteve, i cili po ashtu është me prejardhje nga Kosova.
Kështu që, FSHF-ja nuk po i merr FFK-së vetëm futbollistë që kanë prejardhje nga Kosova, por edhe futbolliste për të pasur paraqitje sa më të mira në arenën ndërkombëtare.