Kombëtarja shqiptare U-21 zhvilloi ndeshjen e dytë miqësore ndaj Turqisë, ku u mposht minimalisht me rezultatin 1:0 në stadiumin “Atatürk Olimpiyat” në Stamboll. Goli i vetëm i sfidës u shënua në minutën e 27-të nga Kilicsoy.
Trajneri Alban Bushi e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Simon Simoni (C), Ermis Selimaj, Ervin Bashi, Gabriel Ramaj, Kevin Dodaj, Etnik Brruti, Rrok Toma, Aidon Shehu, Arlind Kurti, Enes Osmani, Dion Ajvazi.
Minutat e para të ndeshjes ishin të balancuara, me lojën që u zhvillua kryesisht në mesfushë. Turqia kaloi në avantazh në minutën e 27-të me golin e Kilicsoy, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë kërkuan me ngulm golin e barazimit, duke krijuar disa mundësi të mira shënimi, por pa arritur të finalizojnë.
Trajneri Bushi aktivizoi në fraksionin e dytë edhe Feta Fetain, Erald Maksutin, Burak Alilin, Zylyf Mucan, Fabjan Perndrecan dhe Dario Dakan.
Ndeshja u mbyll me fitoren minimale të Turqisë 1-0.
Dy miqësoret e Kombëtares U-21 për muajin qershor u mbyllën me një fitore ndaj Hungarisë (2-1) dhe një humbje ndaj Turqisë (1-0).