Monday, 13. April 2026
Sport

Shqipet “pushtojnë” Zvicrën, tre shqiptarë pjesë e formacionit të javës

GS 13/04/2026 1 Min. Lesezeit

Futbollistët shqiptarë po vazhdojnë të lënë gjurmë në kampionatin zviceran të futbollit, duke u dalluar me paraqitje të shkëlqyera në javët e fundit.

Në kuadër të xhiros së 33-të të Superligës zvicerane, tre lojtarë shqiptarë, dy nga Kosova dhe një nga Maqedonia e Veriut, kanë spikatur me performancat e tyre, transmeton Klankosova.tv.

Faqja e njohur për statistika dhe vlerësime të futbollistëve, Sofascore, ka përfshirë portierin Amir Saipi, mbrojtësin Adrian Bajrami dhe mesfushorin Benjamin Kololli në formacionin ideal të javës.

Portieri i Luganos, Amir Saipi, pati një paraqitje vendimtare në fitoren minimale 1:0 në udhëtim ndaj Zurichut, duke kontribuar në ruajtjen e portës së paprekur.

Ndërkohë, mbrojtësi Adrian Bajrami zhvilloi një ndeshje solide me Luzernin në barazimin 2:2 kundër St Gallenit, për të cilën u vlerësua me notën 7.6.

Në anën tjetër, mesfushori Benjamin Kololli u dallua me një performancë mbresëlënëse për Sionin në fitoren 3:0 ndaj Lausannes, duke u vlerësuar me notën 7.7.

Paraqitjet e tyre konfirmojnë edhe një herë formën e mirë të futbollistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.

Teilen: