Ishte finalja e fundit e Lojërave Olimpike, ndërsa i dhuroi një mbyllje spektakolare “Paris 2024”.
Por fundi ishte i pritshëm dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën medaljen e artë edhe në basketbollin për femra.
Skuadra amerikane mundi Francën me vetëm një pikë diferencë, në rezultatin e përgjithshëm 67-66.
Këto shifra flasin qartë për një ndeshje të luftuar, shpesh herë jashtë vijave të shpirtit olimpik dhe mbi të gjitha me një fund dramatik për francezet që ishin zonja të shtëpisë.
Pas humbjes së skuadrës së meshkujve, basketbollistet e Francës provuan të merrnin revanshin, madje flirtuan me triumfin, kur në nisje të periodës së katërt e panë veten në epërsi deri në plus tetë pikë.
Por me një reagim të vërtetë kampionesh, basketbollistet amerikane përmbysën shifrat.
Skuadra vendase provoi të ndryshonte fatin e finales, por në fund do të dorëzohej përpara festës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që morën të dyja medaljet e arta të basketbollit në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Tjetër medalje argjendi për Francën në këtë disiplinë, ndërsa ajo e bronzit si vendi i tretë u fitua nga Australia./abcnews.al