Humbja në derbi e Interit është shoqëruar me një tjetër lajm të keq për skuadrën e drejtuar nga Simone Inzagi. Një nga titullarët fiks të zikaltërve, Nikolo Barela, nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjet e ardhshme dhe do të kthehet vetëm pas pauzës së kombëtareve.
Dëmtimi i pësuar gjatë derbit, bëri që Barela të mos ishte i pranishëm në seancat stërvitore, teksa kreu disa vizita më të hollësishme mjekësore për të kuptuar situatën pas problemeve në kofshën e djathtë.
Sipas vetë njoftimit të klubit, Barela ka pësuar një ndrydhje muskulore në kofshë ndaj edhe do të jetë i detyruar të qëndrojë disa kohë pushim. Situata e tij do të vlerësohet fillimisht në javën e ardhshme për të mësuar se si vazhdon rikuperimi, por në klub janë të qartë se Barela nuk do të jetë në gjendje të luajë deri pas pauzës për ndeshjet e kombëtareve.
Kësisoj, ai do të humbasë sfidat ndaj Udinezes, Crvena Zvezdës dhe Torinos. Klubi shpreson ta ketë në formën më të mirë për ndeshjet pas pauzës ku luhen me radhë sfidat ndaj Romës, Jang Bojs dhe Juventusit.
PANORAMASPORT.AL