Kristofer Nkunku është i dëshpëruar për të bërë debutimin e tij me Çelsin kundër Njukasëllit të shtunën, por blutë thuhet se nuk do të nxitojnë për rikthimin e sulmuesit nga një dëmtim i rëndë në gju.
Sulmuesi francez pësoi dëmtim të meniskut, i cili kërkoi ndërhyrje kirurgjikale, duke luajtur për Çelsin kundër Borusias së Dortmundit në fazën përgatitore, pasi ishte transferuar nga Lajpcigu për 52 milionë paund.
26-vjeçari është duke u stërvitur në “Cobham” me trajnerin Mauricio Poçetino, i cili ka thënë së fundmi se ai është me të vërtetë pranë rikthimit.
Sipas “Daily Mirror”-it, Nkunku dëshiron të testojë gjendjen e tij fizike përpara kësaj fundjave, por stafi mjekësor i Çelsit planifikon të tregohet më i kujdesshëm dhe ta rikthejë atë gradualisht, pra në fillim të muajit dhjetor, kur Çelsi do të përballet me Brajtonin, Junajtidin dhe Evertonin në harkun e një jave.
PANORAMASPORT.AL