Edhe pse pëlqehet shumë nga Poçetino, Armando Broja sërish duket se është larg Çelsit këtë merkato dimri, me “Blutë” që kërkojnë më shumë siguri në fazën ofensive.
Siç raporton “TEAMtalk”, Uest Hem është gati që të firmosë “çekun” për shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare.
“Çekanët” janë në kërkim të një sulmuesi prej kohësh dhe duket se nuk duan ta vonojnë më shumë transferimin e Brojës, duke parë që në garë për të është futur fuqishëm edhe Interi.
Zikaltrit janë të gatshëm që të transferojnë 22-vjeçarin shqiptar nëse shesin Aleksis Sançez dhe kjo gjë e ka trembur Uest Hemin, i cili kërkon të nisë menjëherë bisedimet me Chelsean.
Kjo e fundit mësohet se kërkon 35 milionë euro për shërbimet e Brojës dhe klubi nga Londra Lindore është i gatshëm që ta paguajë këtë shumë menjëherë në mënyrë që ai të bashkohet me skuadrën për pjesën e mbetur të kampionatit.
Nga ana tjetër, Çelsi do të hidhet menjëherë në sulm për të gjetur zëvendësuesin e shqiptarit, i cili mund të jetë një mes Viktor Osimhen ose Ivan Tonej.