Pesë goditje në janar dhe një investim prej 40 milionë eurosh. Arkitekt i këtyre blerjeve ka qenë Zlatan Ibrahimoviç, që gjithashtu ishte po ai që prezantoi Santiago Gimenezin përpara mediave. Fillimisht, suedezi foli vetë në konferencë për shtyp.
Çfarë prisni pas një merkatoje të këtij niveli?
Kanë qenë ditë të ngarkuara, por gjithmonë nën kontroll. Më duhet t’i falënderoj të gjithë, sepse bëmë një punë të shkëlqyer dhe arritëm gjithçka donim. Nuk jemi të kënaqur me renditjen, kemi bërë pesë blerje dhe pesë shitje. Ky është ekipi që duhet të ndryshojë situatën.
A e ka zvogëluar Milani distancën me ata përpara pas kësaj merkatoje?
E kemi forcuar ekipin. Nëse e kemi ngushtuar hendekun, do ta shohim. Bëmë gjithçka duke folur me trajnerin. Për mendimin tim e kemi përmirësuar shumë organikën.
Çfarë ka munguar në këta muaj të parë të sezonit?
Ka pasur mungesë vazhdimësie. Kur fiton, ke më shumë besim, përndryshe duhet të fillosh sërish dhe të japësh sërish vazhdimësi. Kemi ulje-ngritje, por jemi të vetmit me trofe. Milani luan gjithmonë për të fituar dhe kur fiton ngre trofe.
Kjo merkato duket si revolucion i mirëfilltë. Kur e menduat ta bënit?
Kur nisëm kampionatin, besonim në atë që kishim bërë. Nuk ishim të kënaqur me situatën dhe vendosëm të ndryshojmë. Nuk jemi të lumtur, kemi një trofe, por nuk jemi të kënaqur, duam më shumë, jemi të uritur.
Pse kaq shumë lëvizje të vonuara në merkato?
Çdo rast është i ndryshëm. Në një marrëveshje biznesi, janë tri palë që duhet të bien dakord. Disa negociata zgjatën më shumë, disa shkuan më shpejt. Të gjithë mbërritën pasi folën me trajnerin. Sotilin, për shembull, e morëm një minutë e gjysmë para përfundimit.
Çfarë fshihet pas lamtumirës së Benaser? Ndonjë problem me Konseisaon?
Ai kërkoi transferimin. Ishte i rëndësishëm për Milanin, kishte disa lëndime, u kthye në fund të dhjetorit. Donte një aventurë të re. Nëse vjen dhe dëshiron të kërkojë diçka tjetër, nuk duhet të qëndronte. Kërkuam zgjidhjen më të mirë për të dhe për ne.
A ju prekin kritikat nga tifozeria?
Skuadra është më e fortë me ta. Unë jam i fokusuar në atë që duhet të bëj. Si futbollist më pëlqente të më urrenin.
Keni ndonjë mesazh për tifozerinë që ka protestuar shumë së fundmi?
Kampionati i fundit që fituam ishte edhe falë tifozëve. Jemi më të fortë me ata në krah, sepse janë shumë të rëndësishëm. Po punojmë dhe po bëjmë gjithçka për të sjellë rezultate. Ky ekip është më i fortë me tifozët. Kur fituam kampionatin e fundit nuk ishim as për të dalë mes katër të parëve, por ia dolëm me shtysën e tifozerisë.
Çfarë ju shtyu të merrnit Gimenezin?
Sepse ka cilësi të shkëlqyera dhe uri për të shënuar. Ai më kujton Kamardën, ata kanë të njëjtën uri për gola. Për mua Santiago është i aftë në zonë e mund ta ndihmojë shumë ekipin.
Çfarë prisni nga Gimenezi?
Erdhi për të dhënë rezultate. Shpresojmë që të lërë një kujtim të mirë, sepse është në duar të sigurta për të arritur suksese. Le ta hedhim hap pas hapi, ne do ta ndihmojmë. Pastaj varet gjithmonë nga lojtari, ai duhet të mendojë vetëm për të luajtur, do të kujdesemi ne për gjithçka tjetër.
PANORAMASPORT.AL