Vetëm pak ditë më parë u shënua 25-vjetori i titullit të parë botëror të Michael Schumacher me Ferrarin, ndërsa sot dalin informacione të reja mbi gjendjen e tij shëndetësore. Bëhet fjalë për zëra të mbledhur nga gazetari francez Stefan L’Hermitte i “L’Équipe”, i cili është përpjekur të bashkojë të dhëna të sigurta, që vijnë drejtpërdrejt ose jo nga familja e ish-pilotit gjerman, i vetmi burim i besueshëm që prej aksidentit të tij gjatë skijimit në dhjetor 2013.
“Nuk dimë asgjë të saktë. Nuk do të thosha se po shkon mirë, por ndoshta pak më mirë. Të vetmet lajme vijnë nga familja”, – tha L’Hermitte në një intervistë radiofonike.
Ai përmendi rastin e helmetës së nënshkruar për bamirësi nga Schumacher, duke shtuar: “Si arriti ta firmosë? A ia mbajti gruaja dorën? Nuk ka siguri, por është hera e parë që marrim një shenjë pozitive prej tij, thuajse një shenjë jete”.
Sipas gazetarit, Schumacher ende nuk flet dhe nuk është parë të ecë, por mund të ketë një ndërveprim të vogël me familjarët, edhe pse nuk mund të thuhet se gjendja e tij është e mirë.