Milot Rashica që sezonin e kaluar luajti në formë huazimi te Galatasaray është transferuar te rivali i madh i tyre, Besiktas.
Ylli shqiptar i cili për një kohë të gjatë ishte në agjendën e Galatasaray, ka arritur marrëveshje me Besiktasin dhe ka nënshkruar kontratën, duke u prezantuar të mërkurën.
Thuhet se pak para se Rashica të vinte në Stamboll për transferim, drejtuesit e Galatasarayt e kanë marrë në telefon dhe i kanë thënë të mos hipë në avion privat të rezervuar nga Besiktas, shkruan gazeta e njohur turke Milliyet.
Në lidhjen telefonike thuhet se futbollisti 27-vjeçar ka përdorur shprehje të qarta ndaj drejtuesve të Galatasaray, duke iu thënë: “Jeni duke më vonuar me premtimet e juaja”.
Tutje shkruhej se Galatasaray kanë tentuar në të gjitha mënyrat për të zbritur nga avioni yllin kosovar, por nuk ia kanë arritur.
Besiktas tashmë e ka regjistruar Rashicën dhe ai do të jetë gati për ndeshjen e radhe të klubit turk.
‘Shqiponja’ do të paguajë te Norwich një tarifë totale prej 5.250.000 euro për katër sezone, duke filluar nga sezoni 2023-2024.
Milot Rashica sezonin e kaluar me Galatasarayn luajti në 30 ndeshje zyrtare ku shënoi 6 gola dhe dhuroi 7 asistime. Vlera aktuale e Milot Rashicës në treg është 8 milionë e 500 mijë euro.