Sigal Prishtina e hap sot rrugëtimin e saj në sezonin e ri të European North Basketball League (ENBL), me një përballje kundër skuadrës norvegjeze BC Gimle. Ndeshja zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.
Kjo është hera e dytë që bardhekaltrit marrin pjesë në këtë garë evropiane, ku synimi është të arrijnë sa më larg në kompeticion. Në fazën e grupeve, Prishtina do të zhvillojë tetë ndeshje – katër si vendase dhe katër si mysafire.
Për herë të parë në këtë ligë do të garojë edhe një tjetër skuadër nga Kosova, KB Peja, duke e bërë pjesëmarrjen kosovare më të rëndësishme dhe më përfaqësuese në arenën ndërkombëtare të basketbollit.
Kundërshtarët e Prishtinës në këtë edicion të ENBL janë:
• BK Opava (Çeki)
• BC Gimle (Norvegji)
• Brussels Basketball (Belgjikë)
• Slovan Bratislava (Sllovaki)
• Tindastoll Saudarkrokur (Islandë)
• Keila Coolbet (Estoni)
• Manchester Basketball (Britani e Madhe)
• KK Dinamo Zagreb (Kroaci)
Skuadra kryeqytetase synon ta nisë me fitore këtë kampanjë evropiane, përballë tifozëve të saj, dhe të hedhë hapin e parë drejt fazave eliminatore. Ndeshja e sotme pritet të sjellë emocion, ritëm të lartë dhe spektakël në zemër të Prishtinës. /ATVLIVE.TV