Zv.ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Andre Rico, ka vlerësuar rëndësinë e forcimit të sigurisë kibernetike, duke e cilësuar atë si një element thelbësor për sigurinë kombëtare, ekonomike dhe stabilitetin e vendit.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2026, Rico rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), si dhe përpjekjet e përbashkëta për përballimin e kërcënimeve në hapësirën digjitale.
Ai theksoi se kërcënimet kibernetike ndaj Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare janë shtuar, duke përfshirë sulme nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, me synim cenimin e infrastrukturës dhe rrjeteve kritike.
“Dua të ofroj mbështetjen për Autoritetin e Sigurisë Kibernetike dhe për të gjithë angazhimin kundër kërcënimeve me të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që BE dhe AKSK ndajnë sëbashku. Kjo konferencë vjen në një moment të rëndësishëm, siguria kibernetike vjen dhe është e njëjtë me sigurinë e vendit, sigurinë ekonomike dhe stabilitetin. Ne kemi patur raste me kërcënime keqdashëse ndaj BE dhe vendeve anëtare. Këto kërcënime janë nga aktorë shtetërorë dhe jo shtetëror, përpjekje për të cenuar infrastrukturën dhe rrjetin e infrastrukturës kritike. Rreziku është i lartë”, tha ai.
Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, zv.ambasadori e cilësoi këtë periudhë si një moment kyç për marrëdhëniet BE-Shqipëri, ndërsa negociatat e anëtarësimit kanë hyrë në një fazë kritike dhe thelbësore.
Ai vuri në dukje progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe rëndësinë e vlerësimit të reformave në kuadër të paketës së zgjerimit të Komisionit Europian, e cila pritet të miratohet nesër.
“Ky është një moment kyç për marrëdhëniet BE-Shqipëri, duke qenë se negociatat me negociatat me Shqipërinë kanë hyrë në një fazë kritiker dhe thelbësore. Shqipëria ka avancuar në procesin e integrimit në BE me kapitujt më të rëndësishëm të përmbyllur. Nesër kemi një ditë të rëndësishme në rrugëtimin e Shqipërisë në BE, Komisioni Europian miraton paketën e zgjerimit. Do të bëhet vlerësimi për progresin e reformave për çdo vend, duke përfshirë edhe Shqipërinë. BE po punon me Shqipërinë për të bërë të mundshëm instrumente dhe ekspertizën për të përforcuar kuadrin ligjor të sigurisë kibernetike”, theksoi zv.ambasadori.
/rtsh.al/