Ish-përzgjedhësi i Shqipërisë, Silvinjo, ka treguar arsyet që çuan në përfundimin e bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit në maj të vitit 2026, duke e cilësuar ndarjen si fundin e një cikli për të dyja palët.
Në një intervistë për Flashscore, trajneri brazilian ka zbuluar se vendimi ishte diskutuar paraprakisht me presidentin e FSHF-së, Armando Duka, ndërsa të dyja palët kishin arritur në përfundimin se bashkëpunimi kishte ardhur në pikën e tij të fundit.
“Ne e kishim folur tashmë këtë me presidentin dhe menduam se ishte fundi i një cikli. Federata ishte rritur shumë, ne ishim rritur shumë dhe erdhi një pikë kur të dyja palët menduan se nuk kishte asgjë më shumë për të shtuar”, ka deklaruar Silvinjo.
Ai ka vlerësuar lart marrëdhënien me Dukën, duke theksuar se presidenti i FSHF-së e njihte mirë punën e bërë nga stafi teknik gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit.
“Presidenti, Armando Duka, është një person shumë inteligjent. Ishte një marrëveshje shumë e mirë midis të dyja palëve dhe ai e dinte punën që kishim bërë atje çdo ditë, punën e palodhur”, ka thënë braziliani.
Për të ilustruar marrëdhënien e mirë me drejtuesit e federatës, Silvinjo ka rrëfyer edhe një episod nga koha kur ishte në krye të Shqipërisë, duke kujtuar një të shtunë kur Duka kishte kërkuar praninë e stafit në federatë për të diskutuar disa çështje.
“Ne thamë: ‘Por ne nuk punojmë të shtunave’. Dhe ai tha: ‘E di, por më duhen katër persona këtu për të folur’. Kështu që uleshim rreth një tavoline dhe të gjithë vinin të lumtur. Katër orë të tjera pune, pa problem. Gjithmonë ishte kështu”, ka rrëfyer ai.
Në fund, ish-përzgjedhësi kuqezi e ka përshkruar raportin me FSHF-në si një marrëdhënie të bukur, duke nënvizuar se ndarja nuk erdhi si rezultat i një përplasjeje, por si përfundim i natyrshëm i një periudhe që, sipas tij, kishte dhënë atë që mund të jepte.
“Ky është lloji i marrëdhënies që kishim. Ishte një marrëdhënie e bukur dhe në fund të fundit ishte fundi i një cikli për të dyja palët”, ka përfunduar Silvinjo.