Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone ka folur në një konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Girona. Deklaratat e tij të para, siç raportohet nga “Marca”, ishin për treshen sulmuese të përbërë nga “tre moskëtierët”, Griezmann, Alvarez dhe Sorloth:
“Gjatë javës në stërvitje kemi aplikuar skema në funksion të ndeshjes së të dielës. Nuk kam dyshim se lojtarët mund të kombinohen gjithmonë, mjafton që ekipi të jetë i përgatitur. Për të mbështetur karakteristikat e disa lojtarëve, unë jam më entuziast se kushdo. Po, është një opsion për të luajtur me Griezmann, Sorloth dhe Julián”.
Për krahasimin me skuadrën e sezonit të kaluar: “Është e vështirë të flasim për një skuadër që sapo po e kompletojmë, por dua të evidentoj punën e madhe që ka bërë klubi në merkato. Ne kërkojmë konkurrencë dhe konkurrenca do të na bëjë të ngremë nivelin mes vetes, pastaj edhe karshi rivalëve”.
Për strategjitë e klubit: “Po punojmë shumë mirë, po arrijmë gjithçka që kemi planifikuar prej disa muajsh. Rruga e ndjekur është ajo që donim. Mungojnë dy lojtarë, por për pak orë do të jenë me ne”.
Për nënshkrimin e ri, Gallagher: “Më pëlqen shumë, ai bën një punë të shkëlqyer kudo që ta vendosni. Është në formë, ka talent dhe agresion, do të bëjë shumë mirë. Ai mund të luajë në çdo pozicion në qendër, do të na shtojë gjëra të rëndësishme”.