Cristian Shpend është aktualisht golashënuesi më i mirë në Serinë B me 10 gola në 14 ndeshje. Sulmuesi shqiptar i Cesenas ka dhënë një intervistë të gjatë për “Cronache di Spogliatoio”, ku ka folur për momentin e shkëlqyer personal, rinovimin e kontratës dhe të ardhmen e tij mes Shqipërisë e Italisë.
Rinovimi i kontratës: “Jam shumë i lumtur për rinovimin e kontratës. E di që ky është një pikënisje e re dhe ndihem krenar për këtë arritje, pasi është si ‘qershia mbi tortë’ për sezonet e fundit dhe rrugëtimin tim me Cesena. Kam ardhur këtu pasi më kishin refuzuar shumë ekipe të tjera, kur isha më i ri. Familja ka qenë gjithmonë pranë meje, veçanërisht babai im, i cili ka qenë një shtyllë mbështetëse për mua dhe vëllanë tim në futboll. Edhe në momentet më të vështira, kur ndonjë ekip nuk na pranonte, ai na thoshte të qëndronim të qetë, të punonim dhe të prisnim mundësinë e duhur. Ai ka qenë thelbësor, sepse gjithmonë ka besuar tek ne dhe na ka inkurajuar të japim më të mirën në çdo hap të karrierës sonë”.
Zgjedhja mes kombëtares shqiptare dhe asaj italiane: “Me Shqipërinë U-21 e kam mbyllur kapitullin tim për shkak të kufizimeve të moshës. Italia nuk më ka kontaktuar kurrë më parë, kështu që nuk e kam menduar ndonjëherë këtë opsion. Gjithmonë kam punuar dhe luftuar për Shqipërinë, sepse ajo ishte e tashmja ime. Po nëse Spalletti më thërret? Patjetër që do ta mendoja. Do të ishte thirrja e një trajneri të madh dhe kombëtarja italiane ka nivel botëror. Nuk mund ta injoroja një mundësi të tillë”.
Rinovimi i kontratës me Cesenan është shenjë e rëndësishme për të ardhmen e tij, ndërsa vendimi për kombëtaren mbetet një dilemë emocionuese që mund të ndikojë ndjeshëm në karrierën e shqiptarit.