Futbollisti legjendar anglez, David Beckham, u dekorua sot (të martën) me titullin “Sir”, në një ceremoni të mbajtur në Kështjellën Windsor, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij shumëvjeçar në sport dhe në veprimtari bamirësie.
Beckham mori titullin e kalorësit nga Mbreti Charles III dhe në këtë rast veshi një kostum elegant të dizajnuar nga bashkëshortja e tij, Victoria Beckham, stiliste e njohur dhe ish-anëtare e grupit “Spice Girls”.
Gjatë ceremonisë, Mbreti Charles dhe Beckham shkëmbyen fjalë të ngrohta. Ish-kapiteni i Anglisë më vonë pranoi se ishte thellësisht i prekur kur mësoi për vlerësimin mbretëror.
“Ky është një moment i jashtëzakonshëm për familjen tonë dhe shumë i veçantë për mua. Jam krenar që më është bërë një nder kaq i madh,” — tha Beckham.
“U rrita në një familje të përulur në East End të Londrës. Gjithmonë kam ëndërruar të bëhem futbollist profesionist dhe sot ndodhem këtu, në Kështjellën Windsor, përballë monarkisë më të respektuar në botë,” — shtoi ai.
I lindur në Londrën Lindore, Beckham debutoi në Premier League me Manchester United në vitin 1995, dy vjet pasi ishte bashkuar me klubin si junior. Me “Djajtë e Kuq” ai fitoi gjashtë tituj kampion, dy Kupa FA dhe Ligën e Kampionëve, përpara se të transferohej te Real Madrid, LA Galaxy, AC Milan dhe Paris Saint-Germain.
Beckham u tërhoq nga futbolli në vitin 2013, pas një karriere të lavdishme me 115 paraqitje për kombëtaren angleze. I njohur për goditjet e lira dhe krosimet e sakta, ai u bë gjithashtu një nga atletët më të suksesshëm komercialisht të epokës së tij. /ATVLIVE.TV



