Mançester Siti nuk ndalet. Pas fitores së Premier Ligës, skuadra e Pep Guardiolës kompleton edhe dopietën në Angli duke fituar edhe Kupën FA.
Në finalen e “Wembley”-t, Siti fiton derbin e Mançesterit duke mundur “djajtë” 2-1 dhe fituar trofeun për herë të shtatë në histori. Një tjetër trofe që mban firmën e Pep Guardiolës, i 34-ti në karrierën e tij, por mbi të gjitha të Ilkai Ggyndoanit, kapitenit të “qytetarëve”, i cili ishte vendimtar me dy golat e tij, njëri më spektakolar se tjetri.
Tani vëmendja është e gjitha te finalja e Champions-it kundër Interit më 10 qershor në Stamboll. Për të kompletuar sezonin mjafton edhe një sforco e fundit, më e vështira, e cila do të firmoste tripletën që në Angli e ka fituar vetëm Junajtidi në vitin 1999.
SPEKTAKLI – Sitit i mjaftuan vetëm 12 sekonda (goli më i shpejtë në historinë e një finaleje të Kupës FA), ndërsa Gyndoan lëshon të djathtën e tij fluturimthi nga jashtë zone, e cila mposht portierin De Gea. Siti vazhdon të sulmojnë me kokën ulur, por Mançester Junajtidi barazon papritur, kur një prekje e topit nga Xhek Grilish me dorë në zonë i jep mundësinë Bruno Fernandeshit që të shfaqet përpara Ortegës dhe t’i shënojë golin e parë këtë sezon në Kupën FA portierit të Sitit.
Por në fillim të pjesës së dytë Gyndoan provon fluturimthi nga jashtë zone pas një tjetër asisti të De Bryjnes, por këtë herë me të majtën, i cili vulos suksesin 2-1 në “wembley”. Fundi i ndeshjes ishte rokambolesk. Mançester Siti akuzon lodhjen dhe Junajtidi beson deri në fund, por Varan dhe MekTominej shpërdorojnë golin e barazimit në shtesë me dy goditje me kokë.
GYNDOAN – Kapiteni i Mançester Sitit, i cili do të jetë pa kontratë në fund të sezonit, tha se e ardhmja e tij nuk është vendosur ende, por ai është krenar që është pjesë e kësaj skuadre këto 7 vite: “Çfarë sezoni! Kjo skuadër është cilësore, por mentaliteti është special. Kur ke këta lojtarë, të cilët e luajnë ndeshjen si të ishte një miqësore, ata e menaxhojnë presionin sikur: ‘Ok, le të argëtohemi’. Ne jemi një skuadër shumë e mirë, përndryshe nuk e bën dot këtë. Të jem i sinqertë, unë nuk kam nevojë për këto ditë që të ndihem i vlerësuar dhe special në këtë klub. Jam shumë krenar. Prandaj kam këtu prej 7 vitesh me ulje ngritje deri tani. Për të ardhmen asgjë nuk është vendosur ende. Të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Por 32-vjeçari tani fokusin e tij e ka te finalja e Ligës së Kampioneve, atje ku ka shkelur dy herë deri tani në karrierë, por pa mundur dot ta fitojë trofeun europian: “Tani ne duam ta kurorëzojmë sezonin me finalen e Champions-it. Është ndeshja e fundit e sezonit, një ndeshje shumë, shumë speciale, ndoshta më specialja deri tani për të gjithë ne në karrierë. Dhe sigurisht që duam ta fitojmë. Jemi optimistë. E dimë që do të jetë një ndeshje shumë jo e rehatshme, ndaj një kundërshtari të bezdisshëm dhe mendoj se do të jetë e fortë. Fakti që jemi në një finale të dytë në Ligën e Kampioneve për herë të dytë në tri vite është një arritje e shkëlqyer. Por ky grup lojtarësh ka treguar se ne nuk duam që t’i shmangim sfidat e vështira. Ne i përqafojmë ato dhe do të jetë edhe një tjetër sfidë javën e ardhshme”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL