Merkatoja e Juventusit është e hapur në disa fronte. Bardhezinjtë kanë planifikuar disa ndërhyrje të rëndësishme në ekip, por nuk është e thënë që gjithçka të realizohet. Kjo pasi Juventusi përballet dhe me probleme financiare. Bardhezinjtë janë pak a shumë në të njëjtin stad si me shumë klube të tjerë në Europë: fillimisht shit dhe pastaj bli.
Kjo është motoja e shumë klubeve italiane në treg, përfshirë rekordmenët e titujve në Serinë A. Juventusi, që ka humbur lojtarë kalibri si Di Maria, Kuadrado dhe Paredes, ka arritur të sjellë në Kontinasa deri më tani vetëm Timoti Ueah, që i ka kushtuar rreth 10 milionë euro plus bonuset. Një përforcim i vetëm, të cilit Alegri shpreson t’i shtojë dhe disa lojtarë të tjerë. Shefi i ri i klubit, Xhuntoli po përpiqet të vendosë rregull, por, sipas “Il Fatto Quotidiano”, drejtori sportiv duhet të përballet me një pengesë të rëndësishme: një indeks të likuiditetit të ç‘balancuar.
Indeksi i likuiditetit është një parametër i vendosur nga federata italiane për të matur kapacitetin financiar të një klubi për të respektuar objektivat ekonomike në planin afatshkurtër. Sipas gazetës italiane në fjalë, Juventusi e ka tejkaluar këtë kuotë me 100 milionë euro dhe këto janë deficite që datojnë nga koha e Anjelit. Pikërisht bëhet fjalë për një obligacion prej 170 milionë eurosh me maturim në shkurt 2024, i cili ende i pafinancuar, është përfshirë në borxhet afatshkurtra. Me indeksin e likuiditetit jashtë parametrave, detyra e Juventusit është e qartë: fillimisht duhet të shesë, diçka që i ka ndodhur Lacios së Lotitos.
VLAHOVIÇI, I SAKRIFIKUARI – Prandaj nevoja për të shitur një lojtar të rëndësishëm për të financuar lëvizjet e ardhshme është gati i domosdoshëm. Lojtari i përzgjedhur është Vlahoviç. Por për tifozët e Juventusit ka edhe diçka për të buzëqeshur: nëse indeksi i likuiditetit do të konsiderohej si një parametër thelbësor për t’u licencuar në Serinë A (presidenti i federatës, Gravina është mbështetës i saj) pamja do të ishte edhe më e keqe.
PANORAMASPORT.AL