Fundi i sezonit po afron dhe në Madrid, përveç garës në fushë, ku synojnë titullin kampion në La Liga dhe titullin në Ligën e Kampioneve kanë nisur të programojnë dhe sezonin e ardhshëm. Janë disa lojtarë që presin të mësojnë të ardhmen e tyre dhe që e kanë vënë në “vështirësi” klubin me paraqitjet e tyre.
Luka Modriç, Lukas Vaskez dhe Andrij Lunin janë tri nga emrat që po përpiqen të mësojnë diçka më shumë se çfarë do të ndodhë me ta. Gjithçka nis nga Modriç që me paraqitjet e fundit i ka çuar mesazhe të qarta klubi. “Kam ende karburant ne serbator”!
LUKA MODRIÇ – Sipas “Marca”, kroati dëshiron të vazhdojë në Madrid edhe për një sezon tjetër dhe po sfidon me lojën e tij ata që supozojnë se ai do të largohet nga klubi në fund të kontratës më 30 qershor. Paraqitjet e tij të fundit kundër Sitit dhe Barçës tregojnë se kroati është ende një lojtar i rëndësishëm, pavarësisht faktit se mosha e tij mund të sugjerojë një pension të menjëhershëm. Por nga klubi spanjoll janë ende skeptikë. Sipas “Bernabeu Ditigal”, ndryshe nga “Marca” nënvizohet se Reali po bën gati datën e lamtumirës së 38-vjeçarit.
LUKAS VASKEZ – Me kontratë deri më 30 qershor, e ardhmja e Lukas Vaskez ende nuk është zgjidhur. Siç ka bërë me dije “Bernabéu Digital”, numri 17 i Madridit ka marrë oferta nga MLS amerikane dhe nga Arabia Saudite. Natyrisht, ai do të ketë gjithashtu një ofertë më shpejt se sa vonë për të rinovuar me klubin e bardhë deri në vitin 2025. Vendimi tani i takon galicianit, i cili do të mbushë 33 vjeç në korrik. Gjasat janë që të qëndrojë dhe një vit.
ANDRIJ LUNIN – Ukrainasi po kalon një moment të ëmbël në Madrid. Portieri ka marrë çelësat e portës madrilene pas një sezoni me shumë punë. Sipas mediave spanjolle, ai nuk është vetë i qartë se çfarë do të bëjë. Teksa në derë janë shfaqur tri klube të mëdhenj në Europë. PSG-ja, Bajerni i Myunihut dhe Mançester Junajtid janë gati ta joshin duke përfituar nga lëkundja e tij.
PANORAMASPORT.AL