Situata në klubin më të titullar në tokën gjermane po merr për poshtë çdo ditë që kalon. I fundit që u dëmtua në radhët e Bajernit, ishte lojtari më i shtrenjtë në ekip, sikurse më kreativ, Xhamal Musiala. Bavarezët ndodhen në periudhën më delikate te sezonit dhe të martën ata janë vënë përballë Interit në Champions, faza çerekfinale.
Më poshtë do të analizojmë shkallën e dëmtimit për futbollistët që pritet të mungojnë dhe ata që rrezikojnë të mbeten jashtë.
PORTA – Manuel Nojer konsiderohet më të drejtë si një “armë” në portën e Bajernit. Reflekset e 39-vjeçarit, shto eksperiencën, do i jepnin tjetër “fytyrë” bavarezëve në katërkëndësh, por ai nuk është në gjendje të vesh dorezat e titullarit.
Nojer pësoi tendosje në kyçin e këmbës, duke e rënduar dëmtimin e mëparshëm. Sipas “BILD” thuhet se afati kohorë që Manuel do të jetë larg fushave të blerat përkon me 3 javë, çka do i humbiste të dyja ndeshjet me Interit në Ligën e Kampioneve. Shanset që kapiteni i rekordmenëve të Gjermanisë të jetë aktiv në takimin e kthimit në Milano, janë shumë të pakta.
MBROJTJA – Prapavija padyshim është faza më e goditur nga lëndimet në ekipin e Vinsent Kompani. Alfonso Dejvis, gjatë inkuadrimit me përfaqësuesen e Kanadasë, këputi ligamentin e për pasojë do mungojë deri në 6 muaj, humbje e madhe. Aftësitë e Dejvis-it në krahun e majtë, si në bllokimin e kundërshtarit dhe shpejtësinë për të kapur në befasi mbrojtjen mike, do të jenë hendek që do tentohet të mbulohet prej Rafael Guerreiros.
Daiot Upamekano është një tjetër emër i “rëndë”. Francezi po vuan dëmtimin në gju dhe planifikohet, sipas mediave pranë klubit bavarez, të jetë jashtë për 3 muaj. Në këtë panoramë, me shumë gjasa, Erik Daier do të jetë në detyrën e titullarit kundër zikaltërve. Hirko Ito takimet e fundit kishte fituar besimin e Kompani-së, por hovi i japonezit u ndërpre pas këputjes së metatarsale, i padisponueshëm deri në 3 muaj.
MESFUSHA – Xhamal Musiala është futbollisti më i freskët që mungon karshi Interit. Në duelin me Augsburgun, “Bambi” u detyrua të braktiste fushën me dhimbje. Pas analizave është zbuluar se talenti gjermanë ka tërheqje muskulore, e diktuar nga 6 javë mungesë. Të tjera “ngjyra” janë rreth rikuperimit të Aleksandar Pavloviç. Mesfushori ka javë që vuan nga ethet e gjëndrave. Asgjë e sigurt nëse do jetë në ekip të martën.
SULMI – Statistikat e Kingsli Koman-it nuk janë më të mirat me fanellën e Bajern Mynih në edicionin aktual, por eksperienca e transalpinit mund t’i hyjë shumë në punë gjermanëve, aq më tepër në një fazë kaq përcaktuese për fatet e sezonit. Inkuadrimi i Komanit ndaj skuadrës së Inzagit nuk bind, shkak mbingarkesa. Sipas “BILD”-it, ekziston edhe hipoteza që Vinsent Kompani mund të zbresë në fushë nesër me rreshtimin 3-5-2.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL