Pep Guardiola për herë të parë në karrierë ka humbur 5 ndeshje radhazi në të gjitha kompeticionet dhe e ka bërë në mënyrën më të keqe të mundshme duke u mposhtur në shtëpi me shifrat 4-0 nga Totenhemi. Trajneri pranoi se kjo ishte situatë e pazakontë për Mançester Sitin, që ka filluar të ndjejë realisht mungesën e Rodrit në mesfushë.
“Ne e filluam shumë mirë, kishim shanse. Por në herën e parë që ata arritën në portë, ne pësuam gol. Pastaj ishte pak më e vështirë. Shanset ishin.
Ne nuk mund t’i përballojmë duelet siç kemi bërë normalisht. Kur luan me ekipe në Premier Ligë, nuk mund t’i lejosh shanse. Kur je në situatën në të cilën jemi ne, është më e vështirë. Por gjithmonë në jetë mund të ndodhë. Ne duhet të përgëzojmë Totenhemin dhe pastaj të shikojmë veten.
Ka disa arsye pse jemi të paaftë për të qenë të qëndrueshëm. Ekuilibri nuk është në momentin e duhur. Sigurisht që Rodri është i rëndësishëm. Ka shumë gjëra të vogla.
Kur po shkon keq, duhet të kthehesh mbrapsht te procesi. Duhet të rifreskojmë mendjen. Sezoni është kaq i gjatë, shumë gjëra do të ndodhin. Situata është e re për ne, duhet ta pranojmë dhe ecim përpara”, tha Guardiola për “Sky Sport” pas humbjes befasuese.
PANORAMASPORT.AL