Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i ka bërë thirrje UEFA-s që të marrë masa dhe t’i mbrojë futbollistët kur përballen me sjellje raciste.
Pas ndërprerjes së ndeshjes në Bukuresht, Rrahmani ka thënë se në tri raste ka bërë përpjekje që ta bindë gjyqtarin për thirrjet anti-Kosovë në stadium.
“Ka pasur thirrje të vazhdueshme ‘Serbia, Kosova’. Kjo ndodhi për 90 minuta. Në minutat shtesë, nisën thirrjet me fjalë të tjera që s’dua t’i përsëris sepse është turp. I thash për herë të parë gjyqtarit që t’i dëgjojë. Ai s’bëri asgjë”.
“Herën e dytë s’deshi të dëgjojë. Pas herës së tretë i thash që do të dalim sepse kjo është shumë e gabuar. Ata kanë qenë në dijeni sepse Federata jonë ua ka bërë të qartë që të provojnë të shmangin këtë”.
“Fansat nisën edhe më shumë pas kësaj me thirrjet ‘Kosova, Serbia’. Prandaj vendosëm të mos dalim më siç ndodhi vitin e shkuar”.
“UEFA duhet të vendosë sepse jemi futbollistë, jemi për të përfaqësuar këtu popullin tonë, shtetin tonë që ka të kaluar të rëndë. Një luftë e madhe ka marrë jetën e njerëzve, ka pasur masakra. Kjo është e tepërt. Ndaluni”.
“Të gjithë duhet ta dinë se Kosova është Kosovë ose Kosova është Shqipëri. Kaq. Këtu mbaron”, ka përfunduar kapiteni i Kosovës./ Telegrafi