Kombëtarja italiane është grumbulluar në Coverciano, ku ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës në kualifikimet e Kupës së Botës 2026: më 11 tetor kundër Estonisë dhe më 14 tetor ndaj Izraelit.
Aktualisht Italia renditet e dyta në Grupin I, pas Norvegjisë, e cila ka një diferencë të thellë golash, por trajneri Gennaro Gattuso nuk dorëzohet. Në konferencën për shtyp, ai pranoi se situata nuk është e lehtë, por ekipi duhet të luftojë deri në fund.
“Kundër Estonisë kemi gjithçka për të humbur. Do të jetë një ndeshje e vështirë, ku duhet të vuajmë dhe të punojmë fort. Ka pak presion, por duhet ta përballojmë. Kundër Izraelit, për më tepër, klima nuk do të jetë e lehtë,” – u shpreh Gattuso.
Trajneri italian komentoi edhe interesin e ulët për ndeshjen në Udine, duke shtuar me sinqeritet karakteristik:
“Do të ketë më shumë njerëz jashtë stadiumit sesa brenda, e kuptoj këtë. Por ne duhet të shkojmë në Botëror, pa justifikime.”
Në lidhje me mungesën e Federico Chiesas, Gattuso shpjegoi se vendimi është marrë me mirëkuptim të ndërsjellë:
“Me Federicon bëmë një bisedë të gjatë. E di çfarë mendoj për të, por duhet respektuar ajo që ndien lojtari. Ai vetë më tha se nuk ndihet ende 100% dhe ka disa probleme që duhet t’i zgjidhë.”